Omer XHAFERI
Shkup, 27 gusht – Me Rregullore të ndryshuar për provime pranuese, sot (e hënë) fillon regjistrimi i afatit të dytët të kandidatëve për kolonel në Akademinë Ushtarake “Mihaillo Apostollski” në Shkup, shkruan gazeta KOHA. Ashtu siç edhe u paralajmërua, testimet e para kandidatët do t’i bëjnë në provimet teorike, respektivisht sipas njoftimit zyrtar të Akademisë Ushtarake, të gjithë kandidatët që kanë konkurruar në afatin e dytë të regjistrimit – të hënën do t’i nënshtrohen provimit në lëndën e matematikës. Dekani i Akademisë Ushtarake, Orce Popovski, për gazetën KOHA, tha se për afatin e dytë të regjistrimit në Akademi, për dhjetë vendet e lira për kadet janë paraqitur 60 kandidatë, të cilët në afat prej dy javësh do t’i nënshtrohen disa provimeve pranuese. “Pas provimit të Matematikës, do të pasojë provimi i gjuhës angleze, gjegjësisht më pas vijon kontrolli në Qendrën Ushtarako Mjekësore, përfshi edhe testin psikologjik dhe më pas, kandidatët që me sukses do t’i kalojnë këto faza, do t’i nënshtrohet testimeve fizike. I gjithë ky proces shpresojmë të përfundojë deri më 3 shtator, me qëllim që kandidatët të cilët nuk do të arrijnë t’i japin provimet, të kenë mundësinë të konkurrojnë në afatin e tretë të regjistrimit në ndonjë prej universiteteve të vendit. Viti akademik në Akademinë tonë fillon më 15 shtator, ashtu si në të gjitha institucionet e larta arsimore në vend”, tha dekani Popovski. Ndryshe, refuzimi i paarsyeshëm i dhjetë kandidatëve për pranim në Akademinë Ushtarake, të cilin Komisioni psikiatrik e bëri në fund të muajit qershor, ishte shkaktar që Ministria e Mbrojtjes të publikojë konkurs të ri, i cili zgjati dy ditë dhe u përmbyll të martën e kaluar. Vendimi i Ministrisë së Mbrojtjes për të shpallur afat të dytë të regjistrimit për pranimin e kadetëve në Akademinë Ushtarake vjen pas denoncimit të gazetës KOHA për diskriminim të kandidatëve në procedurën e selektimit. Duke i sqaruar masat e ndërmarra pas vërtetimit të shkeljeve dhe parregullsive në afatin e parë të regjistrimit, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se në datat 13 dhe 17 korrik, Inspektorati shtetëror i arsimit ka realizuar inspektim të jashtëzakonshëm në dokumentacionin e kandidatëve të cilët kanë konkurruar në afatin e parë të regjistrimit (prej 4 deri 31 maj). Me këtë rast, ky Inspektorat kishte konstatuar se vetëm 13 kandidatë kanë dorëzuar dokumentacionin të kompletuar, i cili ka qenë në përputhje me kushtet e përgjithshme dhe ato të posaçme të parashtruara në konkurs. Për këto shkaqe, siç njoftuan nga Ministria e Mbrojtjes, vetëm pesë kandidatë i kanë plotësuar kushtet e parapara, me çka të njëjtit janë pranuar si studentë/kadetë në ciklin parë të studimeve pranë Akademisë Ushtarake. Krahas kadetëve, konkursi për Akademinë Ushtarake ka qenë i hapur edhe për pilot dhe staf mjekësor, të cilët bashkërisht e përbëjnë numrin prej 30 apo 34 kandidatë që duhet të fillojnë vitin e ri akademik në Akademinë Ushtarake.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.