Evis HALILI
Shkup, 9 shkurt – Qëndrimi i akademikut Mitko Maxhunkov dhe deklaratat e tij kundër zyrtarizmit të gjuhës shqipe kanë provokuar reagime negative në qarqet akademike, shkruan gazeta KOHA. Një kthim mbrapa dhe mendësi mesjetare që nxit procese regresiste. Kështu i kanë komentuar akademikët shqiptarë deklaratat e Maxhunkov. Për më tepër që akademiku Maxhunkov njihej si pjesë krahut liberal dhe frymës së re që pretendohej se përfaqësonte disa vjet më parë, kur u emërua si kryeredaktor i redaksisë që do të merrej me korrigjimin e Enciklopedisë së Maqedonisë, botimit diskriminues për shqiptarët.
ËSHTË PËR TË ARDHUR KEQ
Është për të ardhur keq që Maxhunkov mendon dhe flet në atë mënyrë. Kështu për KOHA thotë akademiku Ali Aliu. Sipas tij, kjo mendësi është mesjetare që nuk përkon me realitetin të dy dhe më shumë gjuhësisë, në rajon dhe Evropë, në shtete dhe vende ku kultivohen tradita shekullore të bashkëjetesës së kombeve dhe gjuhëve.
“Më ka habitur kjo deklaratë që është për keqardhje. Dhe të marrim shembullin e Kosovës, dygjuhësisë atje, ku edhe në qyteza dhe vendbanime ku nuk ka asnjë familje serbe, administrata funksionon në dy gjuhë. Dhe kjo gjë nuk përbën asnjë problem për vendasit. Më konkretisht po sjell shembullin e Kaçanikut, ku s’ka asnjë serb dhe mund të them se ata shqiptarët atje janë më qytetarë evropianë sesa Maxhunkov”, thotë Aliu. Për të është më ironike situata e krijuar dhe që përkon me finalizimin e një projekti të përbashkët mes AMSHA dhe Akademisë së Arteve dhe Shkencave të Kosovës. Promovimin e dy antologjive, që do të mbahet të enjten në Shkup nga përfaqësues të dy institucioneve, projekt ky që ka nisur kur AMSHA drejtohej nga akademik Kambovski.
Ndërsa për akademikun Abdylmenaf Bexheti, këto qëndrime të herëpashershme që bëhen në formë individuale nga akademikë po shndërrohen në pengesat kryesore të perspektivës dhe qëndrueshmërisë së shtetit të përbashkët.
“Prononcimet kundër idesë për dygjuhësinë në shtet, së pari janë qëndrime të pastra individuale, kryesisht rezultat i ‘mbetjeve’ sistemore (recidive nga e kaluara) dhe krijojnë frikë të panevojshme deri në fobi kolektive. Nëse dikush e ka konsideruar këtë nevojë si ‘aventurë që do shkatërrojë shtetin’ në vend se ta shohë si faktor të forcimit të tij, lirisht mund t’i udhëzojmë të kërkojnë përgjigje nga Dejna Rorabaker (Dana Rohrabacher), kryetar i Komitetit të Jashtëm të Dhomës së Kongresit të ShBA-ve, përgjegjëse për Evropë. Pikërisht shkencëtarë dhe mentorë si këta janë ngulfatësit më të mëdhenj të perspektivës dhe qëndrueshmërisë së shtetit tonë të përbashkët”, thotë Bexheti.
STUDIMET ALBANOLOGJIKE, PROJEKTI QË REFUZON AMSHA
Zvarritja e iniciativës për themelimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike, e hedhur shtatë vjet më parë si ide, pas skandalit të Enciklopedisë dhe rezistenca që po has nga pjesa maqedonase është e kuptueshme. Madje, edhe shndërrimi i saj në Qendër e studimeve ballkanike (ku do të përfshihej shqipja) ishte një kompromis i bërë për të mos dështuar si ide.
“Nëse si shumicë kritike e ngulfasin edhe iniciativën për krijimin e Qendrës për studime ballkanologjike pranë AShAM-it, do nxisin procese kontraproduktive si gjithmonë që ka ndodhur, për çka ne s’do jemi fajtorë! Mandej pas 2 dekadash, si zakonisht do pendohen por mund të jetë shumë vonë edhe për vetë shtetin”, thotë Bexheti.
Edhe pse nuk dëshiron të komentojë ato që i quan qëndrime individuale, një tjetër akademik Alajdin Abazi, është i mendimit se Akademia i është kthyer avazit të vjetër dhe nëse Qendra do të ishte krijuar, tani nuk do të ndodheshim përpara këtyre problemeve.
“Institucioni shënon 50 vjetorin dhe ne ja ku jemi, me kritika për etnocetrizmin, sërish me avazin e vjetër, edhe pse mendoj se kemi ardhur nga fundi. Ndryshimet në këtë institucion mund t’i bëjnë reformat, por edhe anëtarësimi i më shumë shqiptarëve. Nëse do të ishte Qendra nuk do të ishim në këtë situata ku gjendemi”, thotë për gazetën KOHA, Abazi.
Edhe përkundër përpjekjeve për të kontaktuar me akademik Izet Zeqirin, ai ishte i pakapshëm.
MAXHUNKOV: DYGJUHËSIA DO SHKATËRROJË MAQEDONINË
Iniciativën e dygjuhësisë Maxhunkov e ka komentuar si një agresion të paparë dhe tentativë për të groposur gjuhën maqedonase. Sipas tij ajo po përdoret për luftë politike dhe është një aventurë e rrezikshme që do të çojë në shkatërrimin e shtetit dhe popullit maqedonas.
“Asnjë gjuhë nuk mund që të mbijetojë në dygjuhësi, ose multigjuhësi, nëse nuk ka një shtet amë ku kjo gjuhë të ruhet dhe të kurohet. Në Maqedoni jetojnë më shumë bashkësi etnike, por të gjitha ato kanë shtetet e tyre amë ku ruhet dhe zhvillohet gjuha e tyre…. asnjë vend në i pasur se ne nuk do të mundej që t’ia dilte me shpenzimet materiale për një eksperiment të tillë. Kjo nuk do të thotë se tjetrit nuk duhet t’i jepet ajo që i takon, kjo do të thotë që t’i jepet gjithçka që i takon, por jo që dyfishohet apo trefishohet shteti në interes të mbijetesës personale. Emrin dhe gjuhën duhet ta ruajmë si diçka pa të cilën nuk mund të ekzistojmë”, ka deklaruar Maxhunkov. Deklaratat e tij janë bërë gjatë fjalës së mbajtur me rastin e promovimit të 50 titujve të rinj të edicionit “Thesaret e letërsisë botërore”.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.