Bujar KURTAJ
Shkup, 25 tetor – Skuadra e Shkëndijës, e cila deri më tani po dominon në futbollin vendor, do të rikthehet të luajë në stadiumin “Mlladost” në Strumicë, stadiumin ku në verë i zhvillonte si nikoqir ndeshjet e Liga Evropës. Por, kësaj radhe kuqezinjtë do të përballen me skuadrën e Akademia Pandev, skuadër e cila është befasia më e madhe në 11-të xhirot e para. Skuadra nga Strumica me 18-të pikë të grumbulluara mban pozitën e tretë në renditjen tabelore dhe në bazë të paraqitjeve të deritanishme, djemtë e trajnerit Qatip Osmani nuk do ta kenë lehtë të vijnë deri te fitorja edhe pse realisht roli i favoritit u takon atyre.
Në Strumicë kuqezinjtë janë nga dita e djeshme ku kanë qëndruar në karantinë për tu përgatitur sa më mirë për këtë ndeshje dhe njëkohësisht të vazhdohet ecuria pozitive drejt titullit të dytë në historinë e saj. Nga radhët e ekipit kuqezi pohojnë se në Strumicë kanë shkuar si në çdo ndeshje tjetër, me qëllim që të dalin fitues. Kështu mendon edhe mbrojtësi i talentuar Egzon Bejtullai. “Jemi kthyer të dielën në rrugën e fitores dhe tani skuadra ka nevojë për vazhdimësi. Pas triumfit me Shkupin kemi punuar në rikuperim dhe mendoj se të gatshëm do të hyjmë kundër Akademia Pandevit. Bëhet fjalë për skuadër cilësore, debutuese në Ligën e Parë por që me paraqitjet e deritashme dëshmon se ka ambicie të larta. Ne shkojmë si në çdo ndeshje tjetër, me respekt për kundërshtarin, por edhe me besim në cilësinë tonë. Do të dalim për të dhënë më të mirën dhe besoj se me një tjetër paraqitje pozitive të dalim me tre pikë nga kjo përballje”, deklaroi për gazetën KOHA, Egzon Bejtullai.
Shkupi do të kërkojë fitoren ndaj Pobedës, e cila të dielën bëri befasinë më të madhe duke e mundur kampionin aktual Vardarin me 1-0. Për bardhekaltërit kjo përballje konsiderohet shumë e rëndësishme, andaj djemtë e trajnerit Ardian Nuhiu, pritet të japin maksimumin që tre pikët të ngelin në Çair. Pos, Mbellas i cili u ndëshkua me të kuq në përballjen e fundit me Akademia Pandev, trajneri Nuhiu në dispozicion do ti ketë të gjithë futbollistët tjerë. “Ndeshja me Pobedën për ne është shumë e rëndësishme. Duhet të japim maksimumin dhe tre pikët të mbeten në Çair. Me ndihmën e ‘Shvercerave’ do ta kemi më lehtë, ndërsa me fitoren eventuale do të hyjmë më të relaksuar në ndeshjet e mbetur. Caku jonë dihet dhe ai është që të jemi sa më lartë kreut të tabelës”, deklaroi Edis Maliqi, njëri prej futbollistëve më të mirë të Shkupit.
Pas disfatës së papritur nga Pobeda, Vardarin e pret edhe një përballje e vështirë, ajo me Rabotniçkin.”Romantikët” këtë sezon nuk po luajnë mirë dhe aktualisht gjenden në pozitën e parafundit me vetëm 10-të pikë. Por, fitorja e fundit ndaj Pelisterit u ka dhënë krah dhe vetëbesim atyre që edhe ndaj Vardarit të arrijnë një rezultat pozitiv. Në anën tjetër, futbollistët e Vardarit edhe pse kanë dy ndeshje më pak, nuk duhet t’i lejojnë vetes edhe një kiks, pasi që me një fitore eventuale të Shkëndijës, epërsia do të thellohej më shumë dhe gara për mbrojtjen e titullit do të behet akoma më e vështirë. Ndërkohë, të gjitha ndeshjet e javës së 12-të në LPFM-së do të fillojnë në ora 14.30.
Dyshet:
A.Pandev – Shkëndija
Pelisteri – Sileksi
Rabotniçki – Vardari
Renova – Skopje
Shkupi – Pobeda