Laura PAPRANIKU
Shkup, 22 prill – Për katër ditë do të nis faza e seleksionimit të nxënësve të talentuar, të cilët perspektivën e tyre arsimore dhe karrierën profesionale e shohin te sportet. Pra, për të gjithë ata që mendojnë të regjistrojnë arsimin e mesëm në fushën e sporteve, si futbollist, hendbollit, basketbollist dhe tenistë, koha e paraqitjeve fillon më 25 maj, shkruan gazeta KOHA. Duke mos llogaritur tre vitet e funksionimit si paralele eksperimentale e Gjimnazit sportiv “Metodia M. Brico” , nga viti shkollor 2015/2016, këto paralele janë nën ombrellën e Shkollës së Mesme Sportive Akademia Sportive në Shkup. Përveç se në kryeqytet, Akademia Sportive formon paralele edhe në disa qytete të tjera, si për shembull, për futboll në Manastir, Ohër, Prilep, Tetovë dhe Shtip, për hendboll në Manastir, Shtip, Gjevgjeli, Tetovë dhe Shkup, për basketboll në Kavadar, Strumicë, Manastir, Ohër dhe Gostivar si dhe për tenis në: Shkup, Manastir dhe Shtip.
Sikurse mund të shihet dhe nga kjo shpërndarje e paraleleve të Akademisë Sportive në Maqedoni, nga gjithsej 19 paralelet e planifikuara për vitin akademik 2017/2018, në përjashtim të paraleleve të Shkupit vetëm dy janë në vendbanime shqiptare, pra futbollit në Tetovë dhe basketbolli në Gostivar. Mësimi krahas lëndëve të përgjithshme, në pjesën e lëndëve profesionale organizohet me ekipe profesionale të përbërë prej trajnerit, zëvendëstrajner dhe fizioterapeutit. Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës (MASH), në bashkëpunim me federatat dhe komunat përkatëse mbulojnë të gjitha shpenzimet e shkollimit për të gjitha paralelet e Akademisë Sportive, si në Shkup ashtu edhe në dhe paralelet e disperzuara të qyteteve tjera. Kushtet për regjistrim do të jenë të njëjta me ato të shkollave tjera të mesme shtetërore. Pra, kandidatët duhet të kalojnë fazën e testimit, sipas kritereve të çdo sporti me atë që kontrollin e aftësive të tyre sportive do ta bëjnë anëtarët e MASH-it dhe federatave të sportive të Maqedonisë. Ky është viti i gjashtë që në Maqedoni bëhet kërkimi i talenteve sportiv në suaza të sistemit arsimor. MASH, përcjell KOHA, ka publikuar këto ditë Konkursin për paralelet e vitit shkollor 2017/2018, i cili gjendet edhe në faqen zyrtare me të dhëna të detajuara për afatet e paraqitjes dhe kalendarit të seleksionimit të nxënësve. Qëllimi i Akademisë së Sportit, sikurse thuhet në Konkurs, është që nxënësit e talentuar për sport të aftësohen që të arrijnë rezultatet të larta sportive dhe të përgatiten që në moshë të re të bëhen anëtarë të ekipeve kombëtare sportive për futboll, hendboll, basketboll dhe tenis.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara