Thuajse të gjitha paralelet e SHMSH “Akademia Sportive” të formuara deri tani janë në gjuhën maqedonase, ndërsa pritet që ai raport të thellohet dhe më tej në disfavor të shqiptarëve për vitin shkollor 2018/2019. Përjashto kryeqytetin, të gjitha seleksionimet tjera për fazën paraprake janë realizuar në qytete me shumicë maqedonase
Laura PAPRANIKU
Shkup, 9 maj – E themeluar prej para tre viteve, me statutin e Shkollës së Mesme Shtetërore “Akademia Sportive” synon të zgjerojë gamën e disiplinave në të cilat do të formohen paralele për vitin shkollor 2018/2019. Krahas paraleleve të futbollit, basketbollit dhe hendbollit, pritet që nga shtatori i këtij viti të formohet edhe paralelja e tenisit, shkruan gazeta KOHA.
Kjo, me qëllim që Akademia Sportive t’ju mundësojë nxënësve të talentuar sportiv që të aftësohen për arritjen e rezultateve të larta sportive dhe që të bëhen anëtarë të kombëtareve të futbollit, basketbollit, hendbollit dhe tenisit që moshë të re, sikurse thuhet në Thirrjen publike për verifikimin e aftësive dhe dhuntive sportive të nxënësve që janë të interesuar të regjistrohen në SHMSH “Akademia sportive”, në paralelen e tenist.
“Nxënësit do të kenë përkujdesje të veçantë, speciale për këtë qëllim, program të përpunuar për arsim dhe trajnim. Për punën me nxënësit do të angazhohen ekipe profesionale të përbërë nga trajneri, zëvendësi i tij dhe fizioterapeuti”, thuhet mes tjerash në aty, ndërsa verhet se pranimi bëhet me seleksionim.
“Kandidatët për regjistrim në vitin e parë të shkollës së mesme në këtë paralele të seleksionohen nga ana e komisionit profesional”, qëndron në Thirrje publike të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës (MASH). Por edhe në këtë rast nuk mungon anashkalimi i shqiptarëve. Në përjashtim të një paralele futbolli në Tetovë, të gjitha paralelet tjera të SHMSH “Akademia Sportive” që janë formuar deri tani, janë në gjuhën maqedonase. Ndërkaq, në përpjekje për formimi e paraleles së tenisit, duket se ky raport do të thellohet edhe më shumë. Përjashto kryeqytetin, të gjitha seleksionimit tjera, të fazës paraprake janë realizuar në qytete me shumicë maqedonase. në listën e qyteteve ku javën e kaluar u bënë seleksionimet e fazës së parë munguan qytete me shumicë shqiptare si Tetova, Gostivari, Struga, Dibra, Kërcova apo Kumanova.
Seleksionimet paraprake të kandidatëve për paralelen e tenist u organizuan ekskluzivisht në Shkup, Manastir dhe Shtip. Kjo, nuk është hera e parë që Akademia Sportive sfidon shqiptarët. Kështu është vepruar në mënyrë sistematike prej vitit 2013 ku ato paralel u formuan si paralele eksperimentale të Gjimnazit Sportiv “Metodia M. Brico” në Shkup dhe më pas me pavarësimin e këtyre paraleleve në Shkollë të Mesme Shtetërore, nga vitin 2015/2016. Në fakt, KOHA raporton se me themelimin e “Akademisë Sportive”, u thellua hendeku edhe ashtu i krijuar në këtë lloj shkollimi në gjuhën shqipe. MASH ka lejuar formimin e paraleleve të para të gjimnazit sportiv në gjuhën shqipe në “Metodia M. Brico” jo më larg se 12 viteve.
Deri në vitin shkollor 2012/2013 formoheshin nga tre paralele në gjuhën shqipe. Mirëpo me hapjen e paraleleve të Akademisë Sportive, në fillim si eksperimentale dhe pastaj si të pavarura në hapësirat e Gjimnazit Sportiv “Metodia M. Brico” u ngushua hapësira për këtë lloj shkollimi në gjuhën shqipe.
Zvogëlimi i paraleleve shqipe, ndodhi jo vetëm sepse paralelet e “Akademisë sportive” janë kryesisht në gjuhën maqedonase, por dhe sepse me vendosjen e Akademisë në hapësirat e Gjimnazit “Metodia M. Brico” u zvogëluan mundësitë për formimin edhe të paraleleve të gjimnazit sportiv. Disa vite me radhë, është ulur në dy numri i paraleleve shqipe edhe në këtë gjimnaz. Sidoqoftë, seleksionimi final i kandidatëve për paralelen e tenist për vitin shkollor 208/2019 do të mbahet në Shkup, në datën 18 maj, Kandidatët duhet të bëjnë paraqitjet në njësitë ku kanë bërë paraqitjet e fazës paraprake. (koha.mk)