As pro dhe as kundër është deklaruar edhe kryetari Ljuço Kocarev, sipas të cilit, në muajin shtator këto çështje do të debatohen brenda institucionit. Një rebelim i ngjashëm ndodhi në muajin shtator të vitit 2017, kur disa akademikë u ngritën kundër avancimit të Ligjit për shqipen, por qëndrimi zyrtar i akademisë shuajti debatin duke u distancuar nga e ashtuquajtura “krahu radikal”
Evis HALILI
Shkup, 30 korrik – Akademia e Shkencave dhe Arteve (ASHAM) nuk ka asnjë qëndrim zyrtar sa i takon debatit të hapur në distancë të disa prej anëtarëve të saj. As pro dhe as kundër është deklaruar edhe kryetari Ljuço Kocarev, sipas të cilit, në muajin shtator këto çështje do të debatohen brenda institucionit. Pas deklaratave të akademikes Katica Qullafkova se “shqiptarët të formojnë një Akademi të tretë shqiptare”, pasi principi i Badenterit për të konsiderohet si diskriminues ndaj popullit maqedonas, reagoi edhe akademik Abdylmenaf Bexheti, duke u shprehur se e pranon dorashkën e hedhur të duelit.
“Nëse nuk na duan në gjirin e tyre, të përfaqësuar kështu sa dhe si jemi, pa u konsultuar edhe me kolegët tjerë shqiptarë, meqë besoj se nuk kanë asnjë kundërshti, ja publikisht po deklarohem se jemi në gjendje ta krijojmë atë, por jo më ‘ilegalisht, joformalisht e privatisht’, siç kemi vepruar në të kaluarën me Institucionet tona fillestare, por të ndahemi MENJËHERË dhe pa hezitim me të gjitha mjetet financiare, hapësinore dhe teknike. Menjëherë të tërheqim 30%-shin e buxhetit publik nga AShAM”, ka deklaruar Bexheti në profilin e tij në rrjetet sociale. Duke iu referuar zgjedhjeve të fundit të zhvilluara në ASHAM, ku sërish u refuzua anëtarësimi i akademikëve të rinj, Bexheti thotë se kjo tregon se nuk janë shkëputur nga mendësia e vjetër.
“Nuk do të komentoj asgjë për akademik Bexhetin. Këto çështje duhet të diskutohen brenda Akademisë. Pas pushimeve, nëse do të kërkohet një gjë e tillë nga departamentet, Kuvendi do të zhvillojë një seancë dhe përfundimet do të jenë publike për opinionin”, thotë kryetari Kovarev.
Debati nisi pas deklaratave në media të akademikes së njohur për qëndrime të tilla, Qullafkova, sipas së cilës pakicat kombëtare janë më të privilegjuara në raport me shumicën. “Avash – avash shteti ynë do të funksionojë si aparteid, ndërsa tani po hapet mundësia që të funksionojë si një lloj neoprotektorati. Dhe e gjithë kjo, kuptohet, e paketuar hijshëm me një retorikë boshe, vakante”, deklaroi Qullafkova. Një rebelim i ngjashëm ndodhi në muajin shtator të vitit 2017, kur disa akademikë u ngritën kundër avancimit të ligjit për shqipen, por qëndrimi zyrtar i akademisë shuajti debatin duke u distancuar nga e ashtuquajtura “krahu radikal” . Ka qenë pikërisht ky krah që në vite ka favorizuar retorikën anti-shqiptare apo është bërë pengesë për realizimin e projekteve, si ajo për themelimin e Qendrës së Studimeve Albanologjike, e hedhur si ide në vitin 2010, pas skandalit të Enciklopedisë. Shndërrimi i saj në Qendër të studimeve ballkanike (ku do të përfshihej shqipja) ishte një kompromis i dytë, i bërë për të mos dështuar si ide. Por me kalimin e viteve kjo inciativë u harrua. (koha.mk)