Sofje/Shkup, 12 dhjetor – Karta për gjuhën maqedonase që e miratoi ASHAM përmban pozicione të pasakta dhe të papranueshme, të cilat i dëmtojnë marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje, ceket në reagimin e Akademisë bullgare të shkencave (ABSH).
“Më 3 dhjetor 2019, Kuvendi i Akademisë së Shkencave dhe arteve të Maqedonisë së veriut (ASHAM) miratoi “Kartën për gjuhën maqqedonase”. në të janë konstruuar argumente historike dhe gjuhësore për mbrojtjen e gjuhës zyrtare letrare në Republikën e Maqedonisë së Veriut si gjuhë e posaçme e pavarur me vazhdimësi dhe gjenealogji, e cila në Shkup është quajtur ‘maqedonase’”, ceket në reagimin e ABSH-së.
Akademia bullgare thekson se dokumenti ka shkaktuar “shumë vërejtje serioze shkencore”, për ç’arsye është shqyrtuar nga ana e kryesisë së ABSH-së, pasi që rreth tij u deklaruan edhe Instituti për gjuhë bullgare, Qendra shkencore cirilo-metodiste dhe Instituti për hulumtime historike pranë Akademisë.
“Në mbledhjen e vet të 11 dhjetorit 2019, Kuvendi i akademikëve dhe anëtarëve korrespondentë (të ABSH-së) i shqyrtoi kartën e ASHAM-it dhe qëndrimet e institucioneve. Anëtarët e kuvendit paraqitën qëndrime unanime në mbrojtje të të vërtetave dhe fakteve shkencore lidhur me prejardhjen, historinë dhe karakterin e gjuhës zyrtare në Republikën e Maqedonisë së Veriut, të cilët në Kartën e cekur ishin paraqitur në mënyrë të parregullt dhe me zëvendësim të terminologjisë shkencore. ABSH dhe Kuvendi konsiderojnë se qëndrimi i Akademisë së Maqedonisë së Veriut i paraqitur në dokument është i pasaktë dhe i papranueshëm dhe i dëmton marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje. Në atë kuptim, qëndrimi i ABSH-së mbetet unanim dhe i pandryshueshëm – gjuha zyrtare në RMV është standard i shkruar-rajonal i gjuhës bullgare. Kuvendi do të fokusohet në këtë fakt shkencor me një sërë ngjarjesh që do të marrin mbulim të gjerë publik dhe medial jo vetëm në vendin tonë, por edhe jashtë”, ceket në reagimin e Akademisë bullgare.
Duke vlerësuar se “faktet kërkojnë vëmendje të posaçme”, ABSH paralajmëron se për qëndrimet e veta zyrtarisht do t’i njoftojë Kuvendin nacional të Bullgarisë dhe institucionet më të larta shtetërore.