Me rastin e 100 vjetorit të Traktatit të Versajës që e shënoi përfundimin e Luftës së Parë Botërore, Komuna e Çairit nesër organizon akademi solemne për personalitetin e njohur historik të kësaj periudhe, presidentit amerikan Vudrou Uillson, ndërsa para ndërtesës administrative të kësaj komune do të bëhet edhe inaugurimi i bustit të tij.
Të pranishëm në këtë ngjarje, siç njoftojnë nga Komuna e Çairit, do të jenë delegacioni nga Qyteti i Stauntonit që është vendlindja e Presidentit Uillson dhe personalitete të shquara të udhëheqësisë shtetërore dhe të korit diplomatik.
“Presidenti Uillson gjatë Konferencës Paqësore të Parisit që kishte si rezultat nënshkrimin e Traktatit të Versajës, doli në mbrojtje të së drejtës së popujve të vegjël të Ballkanit për vetëvendosje, prandaj meriton sot lartësimin e përkujtimit tonë”, thuhet në kumtesën e Komunës së Çairit.