Akademi përkujtimore për nder të aktorit, Luran Ahmeti

272

Shkup, 29 mars – Në Teatrin shqiptar Shkup, sot u mbajt mbledhje komemorative dhe u bënë homazhet për nder të figurës së aktorit Luran Ahmeti.

Luran Ahmeti lindi më 31 korrik të vitit 1974 në Shkup. Në vitin 1999 diplomoi në Fakultetin e Artit Dramatik pranë Universitetit Shën Cirili dhe Metodi. Lurani ngelet një nga shtyllat kryesore të shtëpisë së tij amë – Teatrit Shqiptar Shkup, në të cilin në karrierën e tij 25 vjeçare realizoi role impozante dhe la gjurmë në historinë e artit dramatik.

Publiku do të kujtojë personazhet e luajtura nga Luran Ahmeti në: Dy pistoletat, Eshtrat që vijnë vonë, Oleoria, Edipi mbret, Repriza e lirisë, Nënkresbami, Akuariumi, Kafeneja në udhëkryq, Algereto Albania, Paraja, Gjymtimi, Darka e thërrimeve, Vdekja e Dantonit, Metoda, Bregu i pikëllimit sipas veprës së Teki Dervishit, të cilën fatkeqësisht nuk arriti që të performojë në premierën dhe shfaqje, e cila do duhej që të jetë edhe hapja e dyerve të teatrit për publikun pas një periudhe të gjatë të rekontruktimit të tij.

Ndër vite karriera kinematografike e Luran Ahmetit, pos në produksionet e Maqedonisë së Veriut, u zhvillua edhe në projekte të sukseshme rajonale dhe botërore, në filma artistik dhe serialet më të njohura të Turqisë e deri te filmat hollivudian. Mes tyre: Taken 2, Ballkan kan, Limonata, Elveda Rumeli, O sa mirë, Shekulli i madhërishëm, Dasma e Ballkanit, Reisi, Karakoll, Lugina e ujqërve, Një tregim Prishtine dhe shumë të tjerë.

Në akademinë u përmendën edhe disa nga thëniet e tij të njohura, ndër të cilat do të veçojmë: “Nëse prioritet e keni famën, atëherë kurrë nuk do të prosperoni”.

Lurani kishte prioritetet artin dhe përkushtimin e parezervë, që gërshetuar me potencën e tij artistike i sollën atij famë ndërkombëtare. Për veprën e Luran Ahmetit foli edhe Adem Karaga – drejtor i Teatrit Shqiptar Shkup, njëherit mik jete i tij. Fjalë rasti pat edhe ministrja e Kulturës në Republikën e Maqedonisë së Veriut, zonja Irena Stefoska.

Lurani ishte nga aktorët e rrallë shqiptarë që arriti shpejt të depërtojë në produksionet më të njohura televizive dhe kinematografike të Turqisë. Në këtë rrugëtim ishte bashkë me mikun dhe bashkëpunëtorin e tij, aktorin Ertan Shaban, i cili evokoi kujtimet me të. Pas tij fjalën e mori edhe kolegu dhe miku i tij Xhevdet Jashari. Në fund u dhanë edhe duartrokitjet e fundit për këtë aktor të madh të cilat me të ngritur në këmbë zgjatën disa minuta. Luran Ahmeti vdiq më datë 25.03 të vitit 2021 nga një sëmundje e rëndë.