“Krijimtaria e tij, as për nga sasia, as për nga vlerat, nuk është inferiore kundrejt krijimtarisë që është krijuar dekadave të fundit ndër ne”, tha redaktori i këtyre botimeve, Daut Dauti
Në një akademi përkujtimore me rastin e 20 vjetorit të vdekjes, mbajtur të shtunën në Shkup, u promovuan katër vepra të Sabri Zirap Dautit, dy përmbledhje me poezi dhe dy të tjera me tekste dramatike. “Shumë prej nesh e kanë njohur përmes ndonjë relacioni, qoftë të lidhjeve familjare, a miqësisë, por, pakkush mund të ketë ditur për punën e tij krijuese. Më saktë, për përmasat e kësaj krijimtarie”, tha redaktori i botimeve, Daut Dauti, i cili sqaroi se nuk ka ndonjë lidhje farefisnore me këtë autor të ndjerë, por se ka qenë shok i ngushtë shkolle.
”Por, duket se në jetën dhe krijimtarinë e Sabriut, shumëçka nuk shkoi mbarë dhe u gjetën në shpërputhje kohore largimi i tij i hershëm dhe botimi i veprave të tij me vonesë”, tha ai.
“Drama dhe filmi ishin një preokupim i Sabriut gjer në obsesion”, tha Dauti, duke kujtuar se ai që në gjimnaz ishte ngjitur në skenën teatrore si anëtar i grupit të dramës në ShKA “Emin Duraku”, e më vonë edhe vetë do të përgatisë shfaqje amatore si regjisor por dhe kishte filluar të shkruajë përveç poezisë, edhe tekste dramash. Dramat e para të tij u botuan në vitin 2000, dy vjet pas vdekjes. Në përmbledhjen e parë të dramave (“Nata në ekzil”) u përfshinë tri tekste për shfaqje: “Nata në ekzil”, “Varri i hapur” dhe “Homo homini”. Këtyre tash iu bashkangjitën dy vepra me tekste dramatike: “Santori” ku janë përfshirë dramat “Santori” dhe “Koka e gjarpërit”, dhe “Në labirintet e ndërgjegjes”, ku janë përfshirë tri monodrama dhe një dramatizim, ai i veprës poetike të Ali Podrimjes, “Lum Lumi”. Me këto vepra, S.Dauti bëhet njëri nga autorët më të frytshëm shqiptarë në Maqedoni në fushën e dramaturgjisë, por që për fat të keq, asnjë nga këto tekste nuk është vënë në skenë deri tash. “Është për keqardhje që deri tash këto drama nuk e kanë prekur skenën, ndoshta duke paguar haraçin e të qenit autor i ri dhe anonim, apo ndoshta dhe rezultat të politikave të gabuara të reportorit, siç vë në dukje edhe recensenti Bajrush Mjaku” nënvizoi Dauti.
“Tekstet dramatike të tij kapin një opus tematik të gjerë, ku dominuese janë dramat familjare, por të vendosura qëllimisht në kohë të ndryshme. Dramat e tij janë “të rënda”, kanë për temë çrregullime që shkelin rëndë moralin njerëzor, heronjtë e tij të shpeshtën janë mëkatarë, të cilët me vetëdije ose pa të janë zhytur deri në fyt në llum, të cilët edhe pse përpiqen, nuk ikin dot nga veset ose degradimi, me çka të shpeshtën përfundojnë keq” tha Dauti duke folur për dramat e mikut të tij, S. Dautit. “Ato shquhen me gjallërinë e dialogjeve, kthesave dramatike të situatave dhe përfundimeve të papritura, qoftë fatale ose me hepiend”.
“Me botimin e këtyre katër veprave e lajmë një borxh ndaj një krijuesi të talentuar që erruptoi si vullkan, por që e fashiti vdekja e papritur. Por, këto gjashtë vëllime të veprave të tij, sa janë bërë, duhet të mjaftojnë për të dhënë një profil më të kompletuar të Sabri Zirap Dautit si autor me vepra të larmishme zhanrore, dhe përmes një vlerësimi të kritikës letrare, ta zë vendin e merituar në letërsinë që krijohet ndër ne. Mendoj se krijimtaria e tij, as për nga sasia, as për nga vlerat, nuk është inferiore kundrejt krijimtarisë që është krijuar dekadave të fundit ndër ne”, tha redaktori i këtyre botimeve, Daut Dauti.
Për veprat poetike “Vargje të vjeshtës së vonë” dhe “Fryma e fundit e vetmisë, foli publicisti dhe poeti Rahim Ganiu, duke u shprehur se ka qenë i befasuar nga leximi i poezive të këtij poeti, sidomos nga lirika e dashurisë që është motiv dominues, duke shtuar se po të kishte qenë gjallë, do të ishte një nga poetët më produktivë. Në këtë akademi përkujtimore, për autorin e ndjerë evokuan kujtime ish-shokë të gjeneratës, kolegë të punës, miq të tij, dhe i biri, të gjithë duke theksuar dhembjen nga largimi i hershëm, por dhe faktin se me këto vepra ai vazhdon jetën pas vdekjes.
Veprat “Santori”(dy drama), “Labirinti i ndërgjegjes”(monodrama, dramatizime dhe tregime), “Vargje të vjeshtës së vonë”(poezi) dhe fryma e fundit e vetmisë”(poezi) u botuan në bashkëpunim midis Qendrës Mediale për Multikulturë “Toleranca” dhe Shtëpinë Botuese “Shkupi”. Në vitin 2000 i qenë botuar edhe dy vepra të tjera.
Sabri Dauti lindi më 6 maj të vitit 1960 në fshatin Kopanicë të Dërvenit të Poshtëm, në komunën e Sarajit, ndërsa familja e tij u shpërngul në Shkup nga mesi i viteve 60-të. Pas gjimnazit “Zef Lush Marku” do të diplomojë në Akademinë Pedagogjike dhe pastaj do të punojë si mësues në disa shkolla të fshatrave malorë të Karshiakës së Shkupit, si Mallçishtë dhe Paligrad. Vdiq më 25 tetor të vitit 1998, pas një sëmundje të rëndë.