Akademi me rastin e pesëvjetorit të ndarjes nga jeta të gazetarit Qani Mehmedi

Me rastin e pesë vjetorit të ndarjes nga jeta të gazetarit Qani Mehmedi, komuna e Kërçovës organizoi Akademinë përkujtimore “Pesë vjet pa Qaniun” në të cilën personalitete të njohura nga Maqedonia, Kosova dhe Shqipëria veprimtarët: Flora Brovina, Ismet Sylejmani, Tahir Hani, Agim Rexhepi, gezetarët Mon Beqiri, Gani Kosumi, Islam Spahiu, Salajdin Xhezairi, Harun Ibrahimi, Nafie Grainca, regjisorët Jeton Ahmetaj, Ilir Harxhi kishin ardhur për të qenë pjesë e kujtimit për Qani Mehmedin. Në hyrje miqtë shkruanin kujtime për të ndërkaq skena ishte e përgatitur enkas për rastin.

Akademia filloi me “Himnin e Evropës” nga Simfonia e IX e Bethoven ekzekutuar nga pianisti Shkëlzen Baftiari, më pas u shfaq dokumentari “Qani Mehmedi- udhëtimi në stuhi i gazetarit të lirisë” . Prezantuesi i kësaj akademie Bekim Adili ftoi të pranishmit për një minutë heshtje ndërkaq fjalën përshëndetëse e mori kryetari i komunës Fatmir Dehari i cili në cilësinë e nikoqirit i përshëndeti të pranishmit duke thënë se Qani Mehmedi mbeti udhërrëfyes në politikbërjen shqiptare. Dehari e kujtoi Qaniun si njeri të urtë, të mençur, besnik që ata të cilët kanë patur fatin ti qëndrojnë pranë kanë përfituar shumë nga ai prandaj i përjetshëm do mbetet në mesin tonë tha Dehari. Më pas u int<span;>erpretua poezia “Borgjet e mia” nga aktori tiranas Sokol Angjeli, poezi kjo e Xhevahir Spahiut. Në emër të familjes foli djali Mentor Mehmedi- i punësuar në Fondin Monetar ndërkombëtar në Washington i cili tha “ Babi iku vetëm fizikisht nga kjo botë 5 vite më parë, sepse kujtimet, të bemat dhe vepra e tij jetojne me ne, ashtu çdo ditë, duke frymezuar dhe ndriçuar hapat dhe levizjet tona drejt të nesermes. Sic thoshte ai: “Mërzija është për të dobëtit”– andaj duhet qendruar vertikalisht. Neve s’na mbetet tjeter veç se te qendrojmë vertikalisht duke lartësuar veprën e tij shembullore me kujtimet që na la, dhe rrugën që e trasoj për ne. Jemi krenar për jetën që jetoi dhe veprat e emrin që la pas”përfundoi Mentori.

Djali Mentori pranoi çmimin “Imazhit shqiptar” që e ndau profesori Astrit Memia për veprimtarinë mbarëkombëtare të Qani Mehmedit si gazetar, publicist dhe intelektual i guximshëm, si misionar dhe vizionar që mobilizonte masat dhe u jepte atyre moral për proceset e këthesave vendimtare të kombit. Më pas në cilësinë e kolegëve folën ish drejtori i RTK- së, ish ambasador në Amerikë e Turqi, Avni Spahiu i tha Qani Mehmedi ishte dëshmitari më i mirë në shtetformimin e Kosovës deri në pavarësinë e plotë. “Qaniu shkroi librin Me gjurmëmëdhenjtë e Kosovës duke ikur fizikisht për të mbetur gjurmëmadhi më i madh në karrierën 40 vjeçare gazetareske” tha Avni Spahiu. Ish drejtoresha e Televizionit shqiptar Mirela Oktrova u shpreh se humbja e Qaniut është e pazëvendësueshme. “Ai dhe kur nuk pajtohej me çështje të ndryshme luftonte për tu dëgjuar fjala e lirë“ tha ajo. Më pas Asllan Bajrami kujtoi “me Qaniun kishim marrëveshje të pashpallur, çdo të shtunë dhe të dielë të bënim një kronikë për shqiptarët në Maqedoni dhe Uskanën e tij”. Gazetari Halil Matoshi u shpreh “Qani Mehmedi si redaktor dhe mësues imi në gazetari mbetet legjendë e pavdekshme”.

Me pjesëmarrjen e tij, manifestimin kushtuar 5 vjetorit të ndarjes nga jeta të Qani Mehmedit, e nderoi lideri i BDI-së Ali Ahmeti, i cili kishte fjalën qëndrore. Lideri Ahmeti i shprehu atij mirënjohje për gjithë kontributin e dhënë në fushën e medias dhe në proceset e vështira të krizave të mëdha për popullin shqiptar në hapësirat ballkanike.
“Qaniu i terrorizonte psiqikisht pushtuesit sepse  kur raportonte Qaniu nuk kriste një pushkë por kriste një top”  tha Ahmeti. Pasi foli për bashkëpunimin e tij me Qani Mehmedin,  dhe kontributin në rrethana të luftës dhe të paqës, potencoi se Qaniu ishte mik besnik dhe trim, njeri i cili kishte pranuar ta ketë rolin e zëdhënësit të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare por meqenëse në atë kohë shëndeti i tij e pamundësoi një gjë të tillë ai mbeti vazhdimisht i lidhur me fatin e popullit e luftëtarëve dhe kauzave më të mëdha nga Radio Zagrebi, Radio Tirana, televizioni i Prishtinës dhe Radiotelevizioni i Kosovës- pas lufte.

Pjesë e këtij manifestimi përkujtimor që u zhvillua nën përkujdesjen e komunës së Kërçovës, ishin edhe këngët e interpretuara nga solisti i njohur Dervish Dervishi  “24 pashallarë” dhe “Vinë vaporat” me të cilat u shoqëruar tërë jetën Qaniu. Balerini Qëndrim Makolli realizoi inskenimin e këngës “Si princ i bardhë” kompozim dedikuar Qaniut shkruar nga kompozitori Naim Gjoshi. Vajza Besiana Mehmedi, e cila pas prezentimit emocionues të këngës “Faleminderit babë” kompozuar nga Shkodran Tolaj i falenderoi të gjithë të pranishmit duke thënë “Është vështirë të interpretohet në një natë të tillë, plot emocione, por plotësova një peng- një këngë që nuk arrita ta interpretoj në ditët më të vështira që kaloi ai dhe ne si familje meqenëse mendoja se po pranoj humbjen e tij. As atëherë dhe as sot nuk pranoj që babi nuk është me ne dhe sonte jam e bindur se është shumë i lumtur teksa sheh të mbledhur miq e shokë në vendlindjen e tij” Besiana shtoi tha “babi na la pasurinë shokët” dhe me këtë rast falemnderoj nga kryetari i komunës të gjithë të pranishmit për respektin e në mënyrë të veçantë falemnderoi liderin Ahmeti i cili jo vetëm në ditët më të vështira për Qaniun por tash e pesë vite i qëndroi pranë familjes në ditë të mira e të vështira. “Ju mbeteni udhërrëfyes për ne e shumë gjenerata të ardhshme që uroj të iu bëjnë krenarë”  tha Besiana Mehmedi duke u mbyllur kjo akademi me nderimet më të larta e përkulje për jetën e veprën shembullore të Qani Mehmedit si gazetar, publicist, mik e familjarë shembullor. (Shaban Dalipi)

Advertisements