Në tregun e gjelbër në Dibër, një kilogram speca të kuqe mund të blihen për rreth 50 denarë, çmim ky shumë i lartë. Pikërisht këto çmime kanë ndikuar në uljen e interesit për të përgatitur ajvarin. Jozyrtarisht, këtë sezon – vetëm një e treta e familjeve dibrane po përgatisin ajvarin
Vjollca SADIKU
Dibër, 16 tetor – Shtatori dhe tetori janë muaji kur përgatiten tradicionalisht turshitë dhe ushqimet të tjera dimërore. Në prag të dimrit, edhe dibranët përveç që sigurojnë drunjtë për ngrohje, ata vizitojnë edhe tregun e gjelbër për të blerë ushqimet dimërore janë, specat e kuq, domatet, krastavecat, lakrat etj. Në prag të stinës së dimrit, shtëpitë dibrane siç është traditë mbushen plot nga zahire. Edhe pse në ditët të sotme turshitë mund të sigurohen edhe në rrjetin tregtar, pjesa dërmuese e amvisave dibrane me plot dëshirë janë të interesuar që të përgatisin zahirenë dimërore vetë në shtëpitë e tyre. Kështu ka qenë në të kaluarën por edhe në ditët të sotme. Familjet ku janë përgatitur turshitë dhe ushqimet të tjera dimërore janë respektuar si familje serioze kurse amviset të këtyre familjeve si gra shtëpiake dhe shumë të zellshme.
Një turshi e bollshme dimërore është përgatitur vetëm tek familjet me fuqi më të madhe ekonomike, kurse në familjet me problem sociale janë përgatitur vetëm disa nga turshitë. Por për shkak të çmimeve të larta sidomos të specit të kuq këtë vit, interesimi për të përgatitur ajvarin ka një rënie të dukshme. Në tregun e gjelbër në Dibër një kilogram speca të kuqe mund të blihen për rreth 50 denarë, çmim i cili është shumë i lartë. Pikërisht këto çmime kanë ndikuar shumë në uljen e interesit për të përgatitur ajvarin. Jozyrtarisht këtë sezon vetëm një e treta e familjeve dibrane po përgatisin ajvarin. Një qytetare nga Dibra, Mukades T. e cila jeton vitet të 60-ta, është një amvise modeste dhe shumë e respektuar. Ajo thotë se këtë vit nuk ka vendosur të përgatis ajvar. “Po çmimet janë të larta të specit. Nëse kemi parasysh se ka rritje edhe të çmimit të vajit, me siguri më lirë është të blesh ajvar në rrjetin tregtar se sa ta përgatisësh”, thotë Mukadesi e cila sqaron se edhe në familjet të farefisit të saj është vendosur që për shkak të çmimeve të larta të mos përgatitet ajvari.
“Ajvari na është bë luks”, thotë Bedrija e cila jeton në një lagje në pjesën e Dibrës të vjetër dhe është fqinje me Mukadesin. Ajo shton se ka bë pak turshi por jo edhe ajvar. “Ajvarin do ta blej në shitore, me që është më lire se sa ta bësh vetë. Fakt është se ajvari i shtëpisë ka një shije shumë më të mirë nga ajvari që blihet në rrjetin tregtar por çmimet kanë një diference të madhe”, shprehet ajo.
Një problem tjetër i rënies të interesit për përgatitjen e ajvarit paraqet edhe jeta në ndërtesat kolektive në Dibër. “Ne nuk përgatisim ajvar pasi jetojmë në ndërtesë. Vitet e kaluara turshitë i përgatitshim tek familjarët që banojnë nëpër shtëpi, mirëpo edhe ajo paraqet telashe dhe kemi vendosur të blejmë turshi dhe ushqime të tjera të gatshme në shitoret tregtare”, thotë Gëzimja e cila është e punësuar, por rroga e saj është afro 15 mijë denarë, e pamjaftueshme për ndonjë harxhim shtesë. Ajo shton se ende nuk ka filluar të përgatis zahiretë dimërore, me që pas fillimit të vitit shkollor familja ka patur shumë harxhime. Sipas saj nga 100 kilogram speca fitohen rreth 40 kavanoz ajvar, për këto harxhohen rreth 4 litra vaj. Nëse bëhet një përllogaritje e thjeshtë, për të bërë ajvar në familje duhet të harxhojë mbi 3 mijë denarë, e kjo është shumë për standardin tonë, thotë Gëzimja.
Në tregun e gjelbër në Dibër tregtarët nga Gostivari, Tetova, Shkupi, Strumica etj, thonë se çmimet e larta të prodhimeve bujqësore, janë për shkak se ka një rënie të prodhimtarisë sidomos të perimeve. Ata shtojnë se janë të vetëdijshëm se ka një rënie të interesimit për blerjen e specit të kuq për ajvar, por theksojnë se nuk u paguhet si tregtarë që specin ta shesin nën 50 denarë. Bujqit dibran janë të rrallë që shesin specin e kuq, me që nga viti në vit ka një rënie drastike të prodhimeve bujqësore, kryesisht për shkak të migrimit masiv për çka tokat mbeten të papunuara. (koha.mk)