Nga gjestet e Dua Lipës e Rita Orës sot, ose të Bekim Fehmiut dikur, vetëm mund të përmirësohet imazhi për shqiptarët ose Kosovën dhe ato janë kundërpeshë e propagandës që në mënyrë shumë më të organizuar dhe më të vrazhdë gjer në vulgaritet, e bën Serbia
Nga Daut DAUTI
Shumë zhurmë për asgjë, apo jo për kot? Dua Lipa dhe Rita Ora ua prekën vrerin nacionalistëve serbë, të cilët nuk e pranojnë realitetin e ri me shtetin e Kosovës në fqinjësi të tyre. Një hartë e përdorur në ndeshjen futbollistike Serbi-Shqipëri, që i kushtoi Serbisë eliminim nga kualifikimet për Kampionatin Evropian, gjithsesi u zgjon kujtime të hidhura. Por Dua Lipa as e pati qëllimin t’i revoltojë serbët, por të kryejë një mision që ia mori mendja se është i drejtë. Ajo iu drejtua Apple-it që të fusë Kosovën në “mapën” e saj, si një mungesë që duhej përmbushur, duke e ditur se shteti ku e ka selinë ky gjigant i informatikës, ishte ndër shtetet e para që e ka njohur Kosovën e pavarur. Kaq, pra, një shërbesë atdheut të saj. Se çka është Kosova dhe çka janë shqiptarët, ajo përdori hartën e Ballist Morinës, ku më shumë se vetë harta e “Shqipërisë së Madhe”(për serbët) është fjala “autochtonus”, që domethënë, mbron një qëndrim të historiografisë së vet se shqiptarët janë autoktonë në tokën e vet. Kaq. Por, serbët, ose një pjesë e tyre të indoktrinuar kaherë me historitë e Vlladan Gjorgjeviqit për shqiptarët me bisht,dikur, apo të Jovan Deretiqit “fluturues” me mend, sot(serbët i kishte gjetur edhe në Indi!), i çartën mediat e tyre sociale e portalet propaganduese, siç më dinë të bëjnë, e përjetuan si një provokim të radhës dhe ç’nuk i thanë Dua Lipës. Dhe nuk është hera e parë, shpesh i kanë reaguar edhe Dua Lipës edhe Rita Orës, saherë që diçka nuk u ka shkuar përqejfi, ose më saktë, saherë që ato kanë folur diçka në afirmim të vendit të tyre të lindjes. U janë kërcënuar duke ua përkujtuar se ato janë këngëtare britanike, që këndojnë anglisht dhe se “provokimet” e tyre nuk do të tolerohen, do të hiqen nga tregu serb, nga toplistat muzikore…Sikur këto dy këngëtare me famë botërore, do të vareshin nga bojkoti serb…
Dhe pastaj, pa pikë turpi, hapën edhe tema të tjera. Edhe të ajvarit! Qarqeve nacionaliste serbe nuk u mjafton fakti që në një pjesë të historisë kanë qenë grabitës të tokave të huaja, por ato mëtojnë t’i shpallin toka të përhershme serbe. Ndaj dhe ju pengon “autochtonus”-i i hartës së Ballist Morinës. Në stilin e tyre kësaj radhe iu vërsulën Dua Lipës edhe pse e paska përmendë specialitetin shtëpiak të ajvarit, që çdo familje mund ta bëjë, gjithkund në vendet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia, por nuk e kishim ditur se qenka specialitet serb. Një specialitet që në ish-Jugosllavi më e logjikshme do të ishte “vendlindjen” ta kishte në jug, sepse deshëm s’deshëm, ajvari së pari duhet të jetë prodhuar me specat e kuq të Strumicës, Prilepit dhe Tetovës, por të cilin, në prishje të Jugosllavisë, më të zot u treguan sllovenët, duke e shpallur brend të tyre! Po nejse, këto janë paradokset e nacionalistëve vulgarë serbë, siç pa turp del publikisht të flasë Ceca Razhnjatoviq, që përtej Ballkanit s’e njeh kush si këngëtare, pos si grua të ish-kriminelit të luftës Arkan. Ajo kundër Dua Lipës, paramendoni…me argument ajvarin! Dua ia paska marrë “ajvarin serb”! Gjithçka që fluturon sipas teorisë së Darvinit, duhet të jetë serbe!
Por ajo që desha të shkruaj është krejt diçka tjetër nga këto “vogëlsira”. E thelbi për mua është te bagazhi që personalitete të njohura të artit, kulturës, masmedias, shoubizit…, të cilët i kanë tejkaluar kufijtë e tyre etnikë dhe janë bërë të njohur në botë, çfarë ndikimi mund të kenë në afirmimin e vlerave të kombit të tyre, ose edhe më tepër se kaq, të vihen në mbrojtje të kauzës së të vërtetës, të cilën ka nevojë për të përhapur nëpër botë dhe t’u kundërvihen të pavërtetave serbe. Këto ditë patëm rastin të lexojmë një sqarim për mediat nga emnaku im nga Londra, se nuk është e drejtë që për Dua Lipën ose Rita Orën, Bebe Rexhë, Era Istrefin të përdorim termin “këngëtare britanike(ose amerikane) me prejardhje shqiptare” sepse një gjë e tillë do të nënkuptonte se ato do t’i ishin nënshtruar asimilimit, gjë që në rastin e të përmendurave nuk ka ndodhur. Por pavarësisht terminologjisë dhe pavarësisht se dy këngëtaret në botë i përjetojnë si “britanike”, te ato vjen në shprehje vetëdija e tyre e pashlyer për përkatësinë etnike, por edhe më tepër se kaq, ato edhe popullaritetin e tyre e vënë në funksion të afirmimit të kauzës kombëtare. Ato e dinë se Kosova ka nevojë për legjitimim ndërkombëtar, për njohje përmes vlerave, por edhe të futet edhe më tutje në organizma ku mungon, si në mapën e Apple-it, dhe se kurdo që u jepet mundësia në intervista, iu kthehen rrënjëve të tyre, atdheut të tyre dhe flasin me pietet për të.“Qentë” mund të lehin sa të duan pas tyre…
Përderisa është aktuale kauza e Dua Lipës, na kujtohet edhe aktori ynë i madh, Bekim Fehmiu, i cili në do kohë edhe më të vështira se këto tash, ishte përpjekur që të afirmojë kombin e tij. Pas suksesit të madh me filmin “Mbledhësit e puplave” në festivalin e Kanës, atij iu hapën dyert e për afirmim ndërkombëtar, së pari në Itali, e pastaj edhe në Holivud. Kur mbërrin në Hollivud, atje i sugjerojnë që nëse dëshiron të bëjë karrierë, duhet ta ndërrojë emrin. Mirëpo ai nuk e kishte pranuar sugjerimin dashamirfës të producentëve, duke rrezikuar edhe karrierën. Ai këmbënguli në të tijën dhe si një Bekim, bir i një patrioti të shquar e të persekutuar(Ibrahim Fehmiut), e ruajti edhe identitetin e tij kombëtar, edhe bëri karrierë të suksesshme. Pra, nuk bëri kompromis me identetitetin e tij. Bile në solemnitetin e madh pas filmit të njohur “Aventurierët”, kishte shkuar i veshur me një kostum të stilizuar të veshmbathjes tradicionale shqiptare, që t’i tregojë botës kush ishte. Ai me atë rast, ndonëse prezantonte shtetin e Jugosllavisë, theksin e kishte vënë në identitetin e tij kombëtar. Kështu, si Bekim Fehmiu, ai do të luajë që nga partizanë e romë të Jugosllavisë, gjer te plejbojë, Odise, a kaubojë të kinematografisë italiane e amerikane. Sot kur publicisti kosovar Fahri Musliu, i cili shkroi monografinë për Bekim Fehmiun, has në rezistenca të çuditshme nga autoritetet kosovare për ta realizuar filmin për aktorin e madh, nuk ke si të mos çuditesh me injorimin e rolit afirmativ që pati Bekim Fehmiu për kombin e tij!
Nga gjestet e Dua Lipës e Rita Orës sot, ose të Bekim Fehmiut dikur, vetëm mund të përmirësohet imazhi për shqiptarët ose Kosovën dhe ato janë kundërpeshë e propagandës që në mënyrë shumë më të organizuar dhe më të vrazhdë gjer në vulgaritet, e bën Serbia. Aktorë, këngëtarë, profesorë universitarë, sportistë…,kudo që të jenë, me madhështinë e të arriturave të veta krijojnë vetvetiu autoritet dhe çdo fjalë e tyre peshon shumë dhe me këtë i bëjnë nder popullit të tyre.
(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës KOHA)