Problemi me ajrin e ndotur në Maqedoni është një temë aktuale çdoherë kur ofrohet vjeshta, kryesisht në Tetovë, Shkup, Manastir ose Kumanovë, si qytetet më të ndotura madje edhe në rang botëror. Përveç organizatave joqeveritare dhe mediave, duket se ky problem nuk i shqetëson shumë edhe organet shtetërore, të cilët shumë pak ose aspak nuk po bëjnë për të përmirësuar situatën. Numbeo ditë më parë e radhiti Tetovën të parën dhe Shkupin të tretën si qytete më të ndotura në Evropë
Qefser ABDYLI
Shkup, 9 nëntor – Tetova në vendin e parë (97.57), e pasuar nga Napoli (84.61), Shkupi (82.17), Tirana (80.51) dhe Torino (73.48) janë pesë qytetet më të ndotura në Evropë. Kështu thuhet në raportin më të ri të faqes së internetit Numbei, e specializuar për hulumtimin e ndotjes së ajrit në më shumë se 70 qytete evropiane, shkruan gazeta KOHA. Në raport, Indeksi i Ndotjes vlerësoi çdo qytet nga 0 deri në 100, ku 100 ishte ndotja maksimale, ndërsa Tetova sërish u gjend në krye të listës. Në mesin e më të ndoturve, thuhet në raportin e Numbeos, janë edhe Bukureshti, Roma, Barcelona, Parisi dhe Milano, ndërsa qytetet më të pastra janë Helsinki (13.49), Reikjavik (15.57), Zyrihu (16.42), Stockholmi (16.62), Malmo po në Suedi (16.67). Me ajër të pastër janë gjithashtu edhe Goteborgu, Vjena, Mynihu, Kopenhaga, Talini, Oslo, Vilnius, Amsterdami dhe Praga.
AKTUALE ÇDOHERË KUR OFROHET VJESHTA
Megjithatë, problemi me ajrin e ndotur në Maqedoni është një temë aktuale çdoherë kur ofrohet vjeshta, kryesisht në Tetovë, Shkup, Manastir ose Kumanovë, si qytetet më të ndotura madje edhe në rang botëror. Përveç organizatave joqeveritare dhe mediave, duket se ky problem nuk i shqetëson shumë edhe organet shtetërore, të cilët shumë pak ose aspak nuk po bëjnë për të përmirësuar situatën. Në kushte të tilla, dilema mbetet nëse qytetarët janë mjaftueshëm të vetëdijshëm për rreziqet për shëndetin e tyre nga ajri i ndotur, nëse e drejta e tyre për mjedis të pastër shkelet vazhdimisht
Hulumtimet e Organizatave Ekologjike thonë se qytetarët në përgjithësi kujdesen për shëndetin e tyre, por nuk ka vetëdije se secili prej nesh, se me zgjedhjet e përditshme, kontribuojmë shumë në ndotjen e ajrit. “Kur flasim për qytetarinë aktive, nuk mjafton të shkruash vetëm në mediat sociale, edhe pse kjo është e nevojshme në një masë të caktuar. Secili prej nesh duhet të bëhet një lider në bashkësinë tonë dhe t’u tregojë të tjerëve se si duhet të sillemi nëse duam të thithim ajër të pastër”, thotë Nevena Smilevska nga organizata qytetare “Eko Svest”. Përsa i përket ajrit të ndotur në Maqedoni, shqetësuese mbetet e dhëna e Bankës Botërore se mbi 1300 qytetarë në një vit vdesin nga ajri i ndotur.
Ose, nga ajri i ndotur po mbushen spitalet e vendit, veçanërisht Klinikat e fëmijëve për sëmundjet e mushkërive, ku gjatë sezonit të ngrohjes, numri i fëmijëve që vuajnë nga inflamacioni i rrugëve të frymëmarrjes rritet me 80 për qind. Smilevska shpjegon se nëse kjo situatë nuk përmirësohet dhe nëse në rrjetet sociale vazhdon debati se kush e ndihmon apo jo ndotjen e ajrit, faji do mbetet jetim dhe ne do të vijojmë të thithim ajër vdekjeprurës. Ajo shton se përgjegjësia e institucioneve është e paevitueshme, por sipas saj, edhe qytetarët mund të ndërmarrin veprime të tilla si lëvizja pak a shumë në këmbë, biçikleta, transport publik, në vend që të ngasin makinat e tyre dhe të ndihmojnë në uljen e ndotjes.
“Mund të thuhet se çdo qytetar mendon se nuk i takon atij dhe se ndotja që prodhojmë ne, është e vogël dhe nuk krahasohet me ndotësit e mëdhenj, por e harrojmë këtu numrin e automjeteve që kemi në Shkup. Në Shkup ka mbi 130.000 automjete dhe kur derdhen emisionet e gazit, kjo kontribuon shumë në ndotjen e ajrit. Paramendojeni, kjo vetëm nga transporti ynë”, thotë Smilevska nga “Eko Svest”. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, për çdo ditë, rreth 93 për qind e fëmijëve në botë nën moshën 15 vjeçare (1.8 miliardë fëmijë) thithin ajër aq të ndotur saqë i vë në rrezik shëndetin dhe zhvillimin e tyre dhe shumë nga këto fëmijët vdesin. OBSH vlerëson se në vitin 2016, mbi 600.000 fëmijë vdiqën nga infeksionet akute të sistemit të ulët të frymëmarrjes të shkaktuar nga ajri i ndotur.
Një raport i ri i OBSH-së thotë se kur gratë shtatzëna janë të ekspozuara ndaj ajrit të ndotur, ata kanë më shumë gjasa të lindin para kohe dhe kanë fëmijë të vegjël me peshë të ulët lindjeje. Raporti thotë se ndotja e ajrit ndikon gjithashtu në zhvillimin nervor dhe aftësinë kognitive dhe mund të shkaktojë astmë dhe kancer që në fillim të fëmijërisë. Ajo, gjithashtu dëmton funksionin e mushkërive tek fëmijët, madje edhe në rastet e ekspozimit ndaj përqendrimeve të ulëta të helmeve.
Ndotja e ajrit është “duhani i ri”, paralajmëron drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë, Dr.Tedros Adhan Gerbies, duke vënë në dukje se 7 milionë njerëz vdesin çdo vit me veprim të vetëm – të frymëmarrjes, ndërsa shëndeti u dëmtuar miliarda qytetarëve. Sipas OBSH-së, më shumë se 90 për qind e popullsisë së botës thith ajër toksik, dhe kërkimet po zbulojnë gjithnjë e më shumë efektet të dëmshme shëndetësore, veçanërisht për fëmijët.
MATET NDOTJA, MUNGTOJNË MASAT
Ndryshe, ajrin e ndotur në Shkup e konfirmuan dje edhe stacionet matëse të Ministrisë së Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor të vendosura, ndërsa tregojnë se ajri më i ndotur është me orës 17:00 pasdite dhe orës 02:00 pas mesnate. Në këtë periudhë koncentrimi i PM10 grimcave ka qenë mbi 100 duke arritur edhe deri në 240 mikrogramë në metër kub. Përveç rajonit të Shkupit, koncentrime ose ndotje e madhe e ajrit, mbi të lejuarën është vërejtur edhe në Tetovë, Koçan dhe Gostivar. Nga substancat ndotëse në ajër grimcat e pezulluara paraqesin rrezik më të madh për shëndetin. Nuk ekziston prag identifikues për koncentrimet e grimcave të pezulluara nën të cilin nuk është vërejtur rrezik për shëndetin. Ekspozimi afatshkurtër dhe afatgjatë i grimcave të pezulluara mund të ndikojë në shëndet. Efektet shëndetësore nga PM paraqiten pas thithjes së grimcave. Pavarësisht madhësisë së tyre, grimcat e pezulluara mund të futen në mushkëri dhe qarkullimin e gjakut dhe të shkaktojnë efekte negative ndaj sistemit nervor, respirator, kardiovaskular dhe imunologjik. Sa më të imëta që janë grimcat, aq më thellë hyjnë në mushkëri. (koha.mk)