Urim HASIPI
Tetovë, 27 gusht – Me matjen e koncentrimeve dyfish më të lartë nga e lejuara të grimcave PM10, Tetova këtyre ditëve ishte qyteti më i ndotur në Maqedoni. Grimcat kancerogjene sërish janë në koncentrime të larta, ashtu siç ishin në matjet e muajve të dimrit. Në mëngjesin e ditës së shtunë, kur edhe ishte ndezur deponia e egër në hyrje të Tetovës, në ajrin që kanë thithur tetovarët janë matur për dy herë më shumë grimca pluhuri PM10 nga koncentrimet maksimalisht të lejuara. Të dielën rreth orës 3.00 pas mesnate grimcat filluan që të grumbulloheshin në ajër, ndërsa kulmin e kanë arritur në orën 7.00 të mëngjesit, kur janë matur 395 mikrogramë në një metër kub ajër, ose shtatë herë më shumë nga e lejuara që është e sigurt për shëndetin. Ashtu siç tregojnë matjet e Ministrisë së ambientit jetësor, në fillim të kësaj jave në ajër shënohet një trend i rënies së koncentrimeve të grimcave të pluhurit. Kjo situatë e ndotjes së ajrit vjen pas një periudhë relativisht të ajrit të pastër këtë vit. Deri më tash janë regjistruar 69 ditë me ajër të ndotur në krahasim nga viti i kaluar duke përfshirë edhe muajin gusht, kur ishin regjistruar 201 ditë me ajër të ndotur. Ambientalistët vlerësojnë se pasojat nga deponia do të jenë afatgjate në shëndetin e qytetarëve të Tetovës. “Një deponi e tillë është shumë e dëmshme për shëndetin e qytetarëve, sidomos fëmijëve. Kjo do të ketë efekt negativ në planin afatgjatë sa i përket shëndetit ku më të prekur janë fëmijët. Megjithatë, nuk përjashtohen edhe kategoritë tjera, sidomos pleqtë me sëmundje kronike. Një deponi e tillë nuk e ka vendin në atë pjesë dhe e njëjta nuk e ka patur vendin aty afër qytetit. Djegia e deponisë ka rritur grimcat e dëmshme dhe Tetova fatkeqësisht është një ndër qytetet më të ndotura në Evropë, kurse në këtë ndotje kanë ndikuar shumë faktorë që dihen”, thotë Murtezan Ismaili, profesor universitar. Në ndërkohë, në repartin e Ndihmës së shpejtë në Tetovë thonë se gjatë vikendit kanë pranuar katër pacientë, gjegjësisht zjarrfikës që kanë kaluar pa pasoja të mëdha nga aksioni për shuarjen e deponisë. Megjithatë, sipas mjekëve, ndotja e ajrit ndikon shumë në shëndetin e qytetarëve. “Gjatë rastit që ndodhi me deponinë, kishim katër persona që kërkuan ndihmë, gjegjësisht punëtorë të Njësisë së zjarrfikësve, të cilët për shkak të tymit dhe aktivitetit fizik kanë patur komplikime shëndetësore, por jo me përmasa të mëdha. Ata nuk kanë qenë të sëmurë kronik dhe nuk është dashur intervenim, kurse raste të tjera nuk kemi patur. Megjithatë, më të rrezikuar janë të sëmurët kronik, pleqtë dhe fëmijët të cilët jetojnë afër vendit ku ka ndodhur ndotja më e madhe për shkak të koncentrimit të madh të grimcave të cilët janë të dëmshme për sistemin e frymëmarrjes”, tha Gëzim Nuredini, kryeshef i Repartit të ndihmës së parë në Tetovë. Përndryshe, edhe të hënën në orët e vona të pasdites ka patur protesta nga iniciativa e qytetarëve kundër deponisë, të cilët sërish kanë hedhur mbeturina para objektit të komunës së Tetovës. Ata dy ditë radhazi protestojnë kundër deponisë së egër në dalje të Tetovës, ku sipas tyre e njëjta është e rrezikshme për shëndetin e qytetarëve. (koha.mk)