Eksperiencat psikotike – siç janë dëgjimi i zërave apo paranoja ekstreme – janë më të zakonshme tek adoleshentët që jetojnë në qytete me ndotje të lartë krahasuar me zonat rurale, sugjeron një studim i realizuar në Angli dhe Uells. Shkencëtarët thonë se hulumtimet e tyre mund të japin të dhëna të mundshme që tregojnë se përse fëmijët në zonat urbane kanë më shumë gjasa të kenë çrregullime psikotike më vonë. Studimi është publikuar në revistën JAMA Psychiatry.
Shkencëtarët nga King’s College në Londër analizuan rreth 2000 adoleshentë që jetonin në zonat urbane, gjysmë-urbane dhe rurale. Pothuajse një e treta (623) raportuan se kishin kaluar të paktën një përvojë psikotike ndërmjet moshës 12 dhe 18 vjeç – për shembull duke u ndjerë sikur njerëzit po i përgjonin apo kishin përjetuar halucinacione. Në zonat me nivelet më të larta të gazeve ndotëse (për shembull zonat e brendshme të qytetit pranë rrugëve të zëna), ka pasur 12 adoleshentë që kanë raportuar përvojat psikotike, ndërsa në zonat me nivele më të ulëta të gazrave të oksidit të azotit, ka pasur vetëm shtatë persona që kanë raportuar këto eksperienca.
Shkencëtarët thonë se gjetjet janë të qëndrueshme edhe kur janë përfshirë faktorët tjerë që mund të kontribuojnë në episode psikotike, duke përfshirë historitë familjare, ambientin social, alkoolin dhe drogat. Autorja Joanne Newbury, tha se përderisa studimi nuk mund të tregonte se ajri i ndotur ka shkaktuar eksperiancat psikotike, “gjetjet tona sugjerojnë se ndotja e ajrit mund të jetë një faktor kontribues në lidhjen midis jetës së qytetit dhe përvojave psikotike”.