Ngrohja e amvisërive dhe lëshimi i gazrave nga veturat në komunikacion nuk paraqesin faktorët kryesor të ndotjes së ajrit në Shkup. Sektori civil alarmon se grimcat e dëmshme për shëndetin e njeriut janë prezent edhe gjatë kësaj periudhe të verës. Për këtë shkak, ata u rekomandojnë institucioneve që urgjentisht të marrin masa dhe mos ta presin kohën e dimrit për të vepruar
Omer XHAFERI
Shkup, 16 gusht – Institucionet lokale dhe ato qendrore duhet të dalin në terren për të zgjidhur problemin me ndotjen e ajrit. Veprimet e tyre, siç thonë nga “02 Koalicioni”, nuk duhet të fillojnë atëherë kur të përkeqësohet situata, por gradualisht, duke filluar nga tani, me ekipe të reja duhet të punohen për detektimin e faktorëve të ndotjes, shkruan gazeta KOHA. Angazhimi i inspektorëve me përvojë, të trajnuar për zbulimin e ndotësve të ajrit, sipas tyre, nuk është i patjetërsueshëm për shkak se të njëjtit në të kaluarën kanë dështuar në përpjekjet për të parandaluar ndotjen e ajrit.
“Përkundrazi, ne besojmë se ndotja e ajrit në vend ka lidhje me pasivitetin dhe mos veprimin e inspektorëve përkatës. Ne vlerësojmë se për zgjidhjen e këtij problemi, në Shkup, mjafton të kihet dëshirë për punë dhe rezultatet pozitive gjithsesi se do të vijnë. Për të zbuluar ndotësit e vërtet, institucionet kanë në diskonim drona, instrumente matëse për ndotjen e ajrit, matës dore e kështu me radhe. Mjafton të vërtetohen vendi se prej nga vjen ndotja dhe më pas lehtë mund të zgjidhet”, thonë nga “02 Koalicioni”.
Një ndër arsye sepse sektori civil reagon në këtë periudhë për ndotjen e ajrit është se në disa komuna të kryeqytetit janë paraqitur shenja se ambienti i ndotur ekziston edhe gjatë kohës së verës. Pavarësisht se shumica e qytetarëve të Shkupit gjatë verës nuk qëndrojnë në shtëpi, nga “02 Koalicioni” theksojnë se prezenca e grimcave 20 dhe 80 ug në ajër, janë shenja se dikush, në ndonjë vend kryen veprime të jashtëligjshme për ndotjen e ajrit.
Raportet dhe analizat e sektorit civil thonë se ndezja e zjarreve përreth bregut të lumit Vardar, sidomos gjatë orëve të vona të natës, numërohen si një prej faktorëve që edhe gjatë kësaj periudhë rritet shkalla e ndotjes së ajrit. Kjo vërejtje nga Organizata joqeveritare “02 Koalicioni”, në radhë të parë ju dedikohet krerëve të komunave Karposhit, Gazi Babës dhe Aerodromit.
Me një situatë të ngjashme gjatë periudhës së verës, vite me radhë përballen edhe qytetarët e Çairit, Butelit e rrethinës. Lëshimi i tymit që vije nga fabrika e Hekurinave, për shumë banor të kësaj pjesë të qytetit paraqet ankth. Përveç se gjatë netëve të verës kundërmon një ere e keq, në rrjetet sociale qytetarët shprehen të shqetësuar për shëndetin e tyre dhe të afërmeve të tyre.
“Tregimet se ndotja e ajrit në Shkup kryesisht bëhet për shkak të ngrohjes së papërshtatshme të amvisërive apo prezencës së veturave në komunikacion, në këto rrethana realisht nuk qëndrojnë. Ne sot flasim për një periudhë të verës, kur temperaturat janë mbi 30 gradë celsius, kur frekuenca e veturave dukshëm është zvogëluar për shkak pushimeve verore, megjithatë grimcat e dëmshme për shëndetin edhe më tej ekzistojnë në ajër. Institucionet përgjegjëse, në këtë rast Ministria e Ambientit Jetësor nuk duhet të lejoj të ndodhë një gjë e tillë, në veçanti se para zgjedhjeve na u premtua se zgjidhja e ajrit të ndotur do të jetë prioritet i tyre. Ndotja e jarit në kohë vere është një dëshmi se ndotja e njëjtë gjatë kohës së dimrit është si rezultat i sublimimimt të më shumë faktorëve të ndotjes. Ne mendojmë se gjatë kësaj periudhe, shumë më lehtë institucionet mund të vërtetojnë shkaqet e ndotjes dhe sanksionimin e shkaktuesve. Kjo duhet të bëhet para se të fillojë sezoni i ngrohjes dhe para se temperaturat të ulen”, theksojnë nga “02 Koalicioni”.
Ndryshe, sektori civil propozon se me zbatimin e masave ndëshkuese dhe mjetet që do të sigurohen nga sanksionimi i shkaktuesve të ndotjes së ajrit, institucionet mund të blejnë stacione të reja matëse për ndotjen e ajrit. Këto aksione, sipas tyre, duhet të fillojnë tash dhe jo në kohën e dimrit. (koha.mk)