Ai ishte vetëm 17 vjeç kur u largua nga Nigeria, por pavarësisht hapave të mëdha që do të hidhte në “botën evropiane”, ai preferoi që kokën ta mbante pas, në vendin e tij dhe të mos harronte nga ku ishte nisur.Aktualisht ndodhet në Kinë, por Odio Ighalo ka luajtur në Norvegji, Itali dhe Angli me Watford-in. Nga Kina e largët sulmuesi ka marrë një vendim bujar, për të hapur një jetimore në qytetin e tij të origjinës. Në dhjetor të 2017-tës, shtëpia e fëmijëve jetimë, që mban emrin e tij, u hap në një lagje shumë të varfër në veri të Lagos. “Të rriteshe në Ajegunle ishte e vështirë dhe u betova se nëse do kisha mundësi një ditë, do të kthehesha për t’i dhënë diçka shoqërisë ku u rrita,”-ka thënë 29 vjeçari për website-n e fondacionit.
“Sfidat e jetës ishin të vështira edhe pse unë i kisha të dy prindërit.” “Nënkuptohet që jetimët e kanë edhe më të vështirë dhe më qesh zemra që jeta më ka dhënë këtë mundësi të rrallë për të ndriçuar pak jetët e tyre”.
Nigeriani ka shpenzuar rreth 1 milion paund për të ndërtuar shtëpinë e tyre, në të cilën qëndrojnë 30-40 fëmijë me apartamente të ndara për djem edhe vajza. Ata kujdesen për fëmijët që foshnje deri në 18 vjeç duke i dërguar në shkollë dhe duke i përfshirë në sport.