Si rezultat i mungesës së perspektivës, mundësive për arsim cilësor dhe punësim. Pakënaqësive nga mënyra se si politika qeverisë me vendin, një numër i madh i qytetarëve nga Maqedonia e Veriut tanimë janë larguar nga vendi për një jetë më të mirë. Por, nuk është edhe i vogël edhe numri i atyre që planifikojnë të largohen nga vendi. Ndaj këtij fenomeni nuk janë imun as shkollat në rajonin e Kumanovës dhe Likovës
Shkup, 14 mars – Ligji mbi emigrimin e fuqisë punëtore të kualifikuar në Gjermani, i cili ka hyrë në fuqi në mars të këtij viti, ka ngritur shqetësim edhe në Maqedoninë e Veriut, për arsye se një numër i konsiderueshëm i qytetarëve, kryesisht atyre të kualifikuar dhe të rinjve, dëshirojnë të lëshojnë vendin. Ky fenomen, i cili është shqetësues jo vetëm për vendin tonë, por edhe për rajonin, ka kapluar edhe Komunën e Likovës. Arsyet e largimit të tyre janë kryesisht sociale, për një jetë dhe mirëqenie më të mirë. Komuna e Likovës, sipas Regjistrimit të vitit 2002, ka popullsi prej 27.058 banorë. Në të ka shtatë shkolla fillore dhe një shkollë të mesme – gjimnaz. Vetëm në vitin 2019/2020 nga bankat e këtyre shtatë shkollave me arsyetimin se po marrin rrugën e migrimit, janë larguar 31 nxënës. Po, ashtu në këto shkolla ka edhe një numër të konsiderueshëm të nxënësve që planifikojnë të largohen nga vendlindja.
Të gjithë, pa përjashtim, kanë një dhe të vetme arsye se pse po largohen nga vendi. Nxënësit, por edhe prindërit, na thanë se arsyet kryesore të largimit janë për një jetë më të mirë. “Largohemi për jetë dhe mirëqenie më të mirë. Për shkak të pamundësive për punësim, pakënaqësive se si udhëhiqet shteti dhe mënyra se si po edukohen të rinjtë”, janë disa nga arsyet e prindërve dhe nxënësve që planifikojnë të largohen nga ky vend. Një nga ata që ka lënë Likovën është edhe Nufet Zendeli. Ai tanimë jeton me babain e tij në Slloveni, ku edhe ndjek mësimet në shkollë të mesme. “Këtu kushtet janë shumë të mira se në vendlindje. Sistemi shkollor është më i mirë sa ai që është në Maqedoninë e Veriut. Për momentin po ndjek mësimin në një shkollë të mesme profesionale të Lubjanës, në të cilën katër ditë kemi mësim teorik dhe një ditë mësim praktik. Shpresojë që një ditë, edhe Maqedonia e Veriut të ndryshojë dhe bëjë reforma në sistemin arsimor”, rrëfehet Nufet Zendeli. Ndërkaq, drejtori i Shkollës së Mesme Komunale (SHMK) “Ismet Jashari” – Likovë, Isni Aliji, informojë se nga ky gjimnaz vitin e kaluar janë larguar tre nxënës, me arsye se po bashkohen me familjet e tyre.

“Shkolla numëron 485 nxënës. Sa i përket migrimit, ka migrim, por janë në numër të vogël. Gjatë këtij viti shkollor 2019/2020, mësimin e kanë lëshuar vetëm tre nxënës me arsyetim për bashkim familjar. Kjo dukuri tek ne nuk ka ndonjë hov të madh”, deklaroi Aliji. Ndërkohë nga Komuna e Likovës thotë se të dhënat për migrimin nga të gjitha shkollat nuk janë alarmante. Siç informojnë nga Komuna, numri nxënësve që migrojnë me familjet për një jetë më të mirë është i vogël dhe se nuk është shqetësues.
“Në Shkolla Fillore ‘Dituria’ – Likovë, nga 272 nxënës të regjistruar në fillimi të vitit shkollor deri më tani mësimin e kanë lëshuar vetëm 1 nxënës. Në shkollën ‘7 Marsi’ – fshati Opajë nga 245 nxënës, tre nxënës deri tani kanë ikur në shtetet e jashtme. Ndërsa, ‘Andon Zako Çajupi’ – fshati Hotël nga 335 nxënës, tre nxënës kanë lëshuar shkollën për të ikur jashtë. Nga shkolla ‘Faik Konica’ – Sllupçan, nga 712 nxënës, katër nxënës e kanë lëshuar vendin. Të dhënat për Shkollën Fillore ‘Kultura’- nga Mateçi vijojnë me 528 nxënës, dhe tre nxënës të ikur. Shkolla Fillore ‘Rilindja’ – Llojan, nga 377 nxënës të regjistruar, tetë nxënës kanë lëshuar mësimin. Shkolla Fillore ‘5 Tetori’ – Nakushtak dhe Ropalcë nga 371 nxënës, gjashtë prej tyre kanë ikur në shtetet e jashtme”, informojnë nga Sektori për arsim fillor dhe të mesëm pranë Komunës së Likovës. Në anën tjetër, statistikat për të rinjtë nga kjo Komunë tregojnë se numri i të ikurve nga shteti për dy vitet e fundit sillet rreth 109-118. Ndërsa arsyet, sipas tyre, mbeten jetë dhe mirëqenie më e mirë.
Në pyetjen e bërë Nufetit se a do të ishe kthyer për të jetuar prap këtu,përgjigjja ishte “Ndoshta dhe po, nëse do të përmirësohej standardi i jetesës dhe kushtet për punësim” – thotë shtatëmbëdhjetë vjeçari. Ndryshe, vetëm vitin e kaluar nga Maqedonia Veriore janë larguar 109 mijë qytetarë. Ndërsa sipas të dhënave të Fondacioni “Fridrih Ebert”, mbi 92 për qind e të rinjve në Maqedoninë e Veriut kanë frikë nga papunësia, dhe kanë shprehur shqetësim për shkak të humbjes së shpresave dhe mundësive profesionale në tregun e punës. Pasiguria nuk është më e vogël as midis vendeve tjera të Ballkanit. Në Kroaci është 87 për qind, ndërsa në Serbi 80 për qind.
(Autorë: Kudret FERIZI, Alma FERIZI, Behar TEFIKI dhe Fitore RRAMANI)
Kjo përmbajtje është pjesë e Konkursit për gjimnazist “Bëhuni aktiv/e në media” që e organizon Instituti për studime të komunikimit me mbështetje financiare të Bashkimit Evropian për të shënuar Javën evropiane për arsim medial 2020. Qëndrimet dhe mendimet e shprehura në këtë artikull nuk pasqyrojnë domosdosshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian. Javës evropiane për arsim medial iu bashkua e edhe gazeta e përditshme “KOHA” me gazetarin Destan Jonuzi, i cili ishte mentor i nxënësve nga Shkolla e Mesme Komunale “Ismet Jashari” – Likovë gjatë përgatitjes së stories së tyre gazetareske.