Në pamundësi për të shprehur talentin dhe dijen e tyre, “ajka” e diturisë – studentët ekselentë të ardhmen e tyre e shohin në vendet e Evropës apo Amerikës. Madje, ende pa mbaruar studimet, gjejnë linqe komunikim në këto vende për t’ia mbathur në mundësinë e parë që i jepet. Por jo vetëm studentët, edhe nxënësit e shkollave të mesme mendojnë që nga gjimnazi për një të ardhme jashtë vendit
Destan JONUZI
Shkup, 13 mars – Të rinjtë e talentuar mendojnë të largohen nga vendi. Edhe pse shpërblehen me dekorata dhe mirënjohje nëpër gara, nuk janë të kënaqur nga sistemi arsimor. Thonë se shteti po orvatet që ti ndihmojë, mbështetje kanë, por nuk është e mjaftueshme. Shumë nga ata ende pa e mbaruar shkollën e mesme bëjnë plane që ta ndërtojnë të ardhmen e tyre jashtë vendit, shkruan gazeta KOHA. Institucione ndërkombëtare dhe vendore që merren me avancimin dhe mbrojtjen e të drejtave të të rinjve, por jo vetëm – edhe organizatat e nxënësve të shkollave të mesme dhe studentore kanë adresuar kritika të shumta drejt institucioneve për nivelin e ulët të arsimit në Maqedoninë e Veriut dhe mundësitë e të rinjve të talentuar për të krijuar dhe vepruar në vend, në vend se ti mbledhin valixhet dhe t’ia mbathin në ndonjë nga vendet e Evropës apo Amerikës.
Në raportet e institucioneve ndërkombëtare thuhet se Maqedonia e Veriut, për dallim nga vendet fqinje, qëndron keq sa i përket nivelit të arsimit dhe mundësive që u jep të rinjve për të krijuar dhe vepruar në vend. Madje kanë rekomanduar që shteti të sigurojë jetë dhe arsim më cilësor për të rinjtë. Nga ana tjetër edhe nga Fondi për Inovacione kanë thënë se mbështetja për të rinjtë e talentuar që të mbeten në vend nuk është e mjaftueshme dhe se i mbetet institucioneve që të punojnë në këtë drejtim. “Vlerësojmë se në hartimin e programeve duhet të dëgjohet edhe zëri dhe mendimi i nxënësve, studentëve dhe prindërve të tyre. Koncepti i projektit për mbështetjen e të rinjëve në këtë drejtim duhet të jetë gati deri në fund të muajt shtator”, thonë nga Fondi për Inovacione i Republikës së Maqedonisë së Veriut. Ariton Rama, drejtues i Forumit Rinor Shqiptarë (FRSH), thotë se të rinjtë pas mbarimit të studimeve duhet të zgjedhin ose të punësohen në institucionet publike, në sektorin privat, ose të bëjnë investim privat, ndryshe nuk do kenë mundësi tjetër përpos se të ikin nga vendi, gjithmonë në mungesë të perspektivës.
“Perspektiva rinore pas mbarimi të nivelit të lartë arsimor është e përcaktuar në tre opsione punësimi dhe angazhimi: në institucionet publike, në sektorin privat, ose investim kapital vetanak… Për të rinjtë që kanë ndërtuar kredibilitetin e tyre profesional, etik, moral dhe të përgjegjësisë ku ka vizione, plane dhe ëndrra, këto tre opsione i duke dështim. Sepse në pikën e parë vlerësohet libreza e partisë më shumë sesa diploma dhe dija, pra duhet nënshtruar në një sistem partiak. Opsioni i dytë – sektori privat, një opsion pa qartësi dhe garancë afatgjate ku nuk ka paga dhe kushte të mjaftueshme që të ofron siguri për realizimin e objektivave jetësore. Pika e tretë – investim kapital vetanak po konsiderohet me gjuhën ekonomike si kapital i mbyllur ku nuk prodhon profit. Dhe kjo ka shumë faktor, klima politike dhe e sigurisë, standardi social që shkakton disbalanc mes ofertës dhe kërkesës. Pra, të rinjve ju ka humbur arsyeja dhe shpresa për vazhdimësinë. Antivlera e mbytë vlerën dhe shkatërrojë lirin e veprimit”, shprehet në prononcimin e tij për gazetën KOHA, Ariton Rama, kryetar i FRSH-së. Në të shumtën e rasteve, ata që janë më të diskriminuar dhe margjinalizuar nga institucionet shtetërore për sa i përket fondeve për avancimin dhe të drejtat e të rinjve, janë nxënësit dhe studentët shqiptarë. Në të shumtën e rasteve, ata refuzohen vetëm pse janë shqiptarë, edhe pse i plotësojnë të gjitha kushtet për të marrë bursa shtetërore.
Në kushte anonimiteti, disa studentët ekselent të cilët deshën të mbeten anonim e që janë në vitin e fundit të studimeve, i thanë gazetës KOHA se që tani kanë gjetur linkun në Gjermani për të ikur ditën e parë po sa të kenë mbaruar studimet. Nga ana tjetër, nga FRSH-ja thonë se ka raste të caktuara, madje edhe shkollarë të mesëm dhe studentë, të cilët ende pa mbaruar me arsimin, ikin nga vendi për një jetë më të mirë, ose përfundojnë studimet dhe më pas ikin për të shprehur talentin e tyre në ndonjë shtet evropian. Megjithatë, është konstatim i të gjithëve – edhe i organizatave që merren me problematikën e migrimit të të rinjve, shoqatave studentore, vet studentëve dhe institucioneve shtetërore se shumë pak punohet në afirmimin dhe avancimin e studentëve ekselent në jetën shoqërore dhe institucionale të Maqedonisë së Veriut. (koha.mk)