Vitin e kaluar, 50 kompanitë me fitim më të madh në Maqedoni kanë realizuar të hyra prej 608 milionë euro. Kjo paraqet një rritje për 110 milionë euro në raport 498 milionë euro fitime të bizneseve gjatë vitit 2016
Fisnik PASHOLLI
Shkup, 21 dhjetor – 50 kompanitë me fitim më të madh në Maqedoni në vitin 2017, kanë realizuar fitim prej 608 milionë euro. Kjo paraqet një rritje për afër 110 milionë euro në raport me fitimin prej 498 milionë euro të bizneseve më të fuqishme të realizuar në vitin 2016.
Bile, fitimi i vitit të kaluar të ajkës së biznesit është edhe më i madhe nëse krahasohet me vitin 2015, kur bizneset më fitimprurëse në vend kanë pasur profit, pas anulimit të harxhimeve të ndryshme dhe tatimeve, prej 442 milionë euro, shkruan gazeta KOHA. Kompanitë nga zonat industriale të orientuara në eksport dhe me subvencione të majme vendore, ndërtimtaria dhe industria e materialeve ndërtimore, telekomunikacioni, zinxhirët e tregtisë, xeheroret… renditen ndër bizneset më fitimprurëse në shtet.
Analiza e kompanive që dallohen me rezultate të mira financiare tregon se më shumë se gjysmën apo afër 380 milionë euro të profitit të kompanive që me sukses punojnë përkundër problemeve të ndryshme në shtet, kryesohet vetëm nga 10 kompani. Nga ana tjetër, biznesi i vogël, apo kompanitë e vogla dhe të mesme mundohen për mbijetesë në treg.
Bile 37 për qind e totalit të kompanive në shtet punojnë me humbje. Me fjalë të tjera, treguesit e punës financiare të biznesit në shtet tregojnë se fitimi apo profiti në një pjesë të madhe është përqendruar tek disa kompani që qarkullojnë shumë para.
Në vitin 2017, kompania “Xhonson Meti”, që prodhon pjesë për automjete, ka pasur fitim prej afër 96 milionë euro. Në vendin e dytë është renditur Ndërmarrja Publike “Rrugët Shtetërore” me fitim prej afër 84 milionë euro, ndërsa në vendin e tretë është xeherorja “Sasa” me fitim prej afër 42 milionë euro. Në vendin e katërt dhe të pestë renditen “CMK-Evropa” – kompania e tregtisë së metaleve me 30 milionë euro dhe “EVN Maqedoni” me 27.5 milionë euro.
Telekomi i Maqedonisë ka pasur fitim prej afër 26 milionë euro, ndërsa xeherorja “Buçim” ka pasur fitim prej 23 milionë euro. Kompania kineze me seli në Maqedoni – “Sinohidro”, që ndërton autostradat në shtet, ka pasur fitim prej afër 22 milionë euro, ndërsa fabrika “Usje” e çimentos, ka pasur fitim prej afër 18 milionë euro. Në vendin e dhjetë, sipas fitimit, renditet Birraria e Shkupit me fitim prej 13 milionë euro. Me rezultate të mira financiare dallohet edhe kompania kryesore në shtet e prodhimit të ilaçeve dhe prodhimeve të tjera mjekësore dhe farmaceutike “Alkaloid”, kompani kjo që shquhet edhe me eksport jo vetëm në shtetet e rajonit, por edhe në Evropë dhe SHBA, e që ka pasur fitim prej 12.5 milionë euro.
Në vendin e 12-të sipas fitimit është “Kameni Most – Komunikacii”, , nga fusha e konsulencës me profit prej 11.5 milionë euro, vijon kompania vendore e përçimit të rrymës “Mepso”, me fitim prej afër 11 milionë euro, e pasuar nga kompania e ndërtimit “Aktor”, gjithashtu me 11 milionë euro. Në vendin e 15-të, sipas fitimit, është Kombinati i Mermerit nga Prilepi me fitim prej 10.6 milionë euro, e pasuar nga “ IGM- TREJD” nga Kavadari e që merret me industrinë e përpunimit të metaleve me fitim prej 10 milionë euro.
Në top 20-in e bizneseve me fitime më të mëdha në Maqedoni renditet edhe fabrika holandeze e prodhimit të autobusëve “Van holl” me 9 milionë euro, zinxhiri i marketeve “Vero” me 9 milionë euro, Elektranat e Maqedonisë me 8.5 milionë euro që në përbërjen e tyre kanë termocentralin me qymyr në Manastir dhe gati të gjitha hidrocentralet në vend , si dhe prodhues i energjisë së ngrohjes në Shkup “Teto” me 8.5 milionë euro.
Në ndërkohë, ekonomistët thonë se zhvillimi ekonomik i Maqedonisë duhet më shumë të bazohet në mbështetjen e bizneseve të vogla dhe të mesme të orientuara në eksport, në vend të favorizimit të kompanive të mëdha eksportuese. Njëherësh, bizneset e vogla dhe të mesme që me mbi 90 për qind marrin pjesë në ekonominë e Maqedonisë, kanë një pjesëmarrje prej afër 50 për qind në krijimin e Prodhimit të Brendshëm Bruto, andaj kërkohet rritja e pjesëmarrjes së këtyre bizneseve në totalin e zhvillimit ekonomik të shtetit, përmes stimulimeve dhe masave të tjera. (koha.mk)