Ajdini: Jemi të pakënaqur nga SASHK-u

Shkup, 4 shtator – Plenumi i arsimtarëve përmes një liste të gjatë kërkesash deri tek MASH-i do të tentojë të përmirësojë situatat në sistemin arsimor. Në vigjilje të vitit të ri shkollor, arsimtarët fillojnë me probleme të vjetra. Libra jocilësor, rroga të ulëta të punonjësve, dy në vend se një ditar, eksperimente me programin arsimor pa konsultime me prindërit dhe arsimtarët, si dhe shumë paralele ku nuk ka kushte të mjaftueshme, janë pjesë e problemeve me të cilat përballet viti i ri shkollor, ka thënë profesori Enver Ajdini, një nga themeluesit e Plenumit të mësimdhënësve në intervistën javore për REL. “Me rëndësi është se mirë ka filluar, diçka që na tangonte shumë vite është mënjanuar, MASH-i shfuqizoi testimin ekstern. Ajo nuk është e vetmja pikë e dhembshme në sistemin arsimor në vend, ka edhe punë tjera që duhet të zgjidhen, ku një nga to janë pagat e vogla, pra rritja e pagave që na premtojnë, ndërsa nga viti 2010 e këndej nuk ka kurrfarë rritje…”, ka thënë Ajdini duke shtuar se “janë të pakënaqur nga SASHK-u dhe ndoshta do të formojmë Sindikatë të re”, ka thënë Enver Ajdini nga Pleniumi i mësimdhënësve.