Omer XHAFERI
Shkup, 26 shtator – Akuzat për “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste” dhe dëshmitë e prezantuara në procesin e deritanishëm për “Lagjen e Trimave”, nuk kanë arritur të dëshmojnë lidhjen e të akuzuarit Besnik Ajdini, me ngjarjet të cilët kanë ndodhur dhe ato të cilët i kanë paraprirë konfliktit të armatosur të 9 majit të vitit 2015, shkruan gazeta KOHA. Në aktakuzë thuhet se i akuzuari, Ajdini, ka pasur rolin e ndihmësit në të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur në “Lagjen e Trimave”, ndërkohë avokati mbrojtës, Avni Kurtishi, në fjalët përfundimtare të dhëna të martën, theksoi se këtë tezë prokurori nuk ka arritur ta arsyetojë gjatë fazave të ndryshme, përmes të cilëve ka kaluar ky proces gjyqësor. Pala mbrojtëse e banorit të “Lagjes së Trimave”, Besnik Ajdini, mes tjerash shtoi se aktakuza e ngritur nga Prokuroria për ndjekjen e korrupsionit dhe krimit të organizuar është e pabazë, e pasaktë, e paligjshme dhe jo precize.
”Ne gjatë gjithë kohës i kemi kundërshtuar provat e prezantuara nga Prokuroria, për shkak se ato nuk kanë dhënë përgjigje për veprimet konkrete të ndërmarra nga i akuzuari Besnik Ajdini. Në aktakuzë nuk sqarohet saktë se koha, vendi dhe mënyrë e veprimeve, të cilat i ka kryer klienti im. Po ashtu, as përmes provave materiale dhe atyre verbale, në këtë rast incizimeve të cilat Prokuroria i ka prezantuar nuk është vërtetuar lidhje e të akuzuarit me ngjarjet e majit në “Lagjen e Trimave”. Arsye e vetme se pse Besnik Ajdini akuzohet, është se ka qenë banor i lagjes ku ka filluar dhe janë realizuar luftimet”, tha avokati mbrojtës Avni Kurtishi. Qëndrimin se klienti i tij është i pafajshëm, avokati mbrojtës Kurtishi, gjatë fjalëve përfundimtare, e mbështeti në faktin se asnjë nga të akuzuarit tjerë nuk është shprehur se ka pasur lidhje paraprake me të akuzuarin Besnik Ajdini, qoftë edhe pas fillimit të luftimeve me 9 maj. Ai, në elaborimin e plotë të procesit gjyqësor tha se prokurori çdo herë ku ka folur për të akuzuarin Besnik Ajdini, është thirrur në akuza të përgjithshme.
”Prokuroria për këtë rast thotë se i akuzuari Besnik Ajdni, është arrestuar me 10 maj rreth orës 16:45. Megjithatë, e vërteta është krejtësisht ndryshe. Klienti im, në të vërtetë është arrestuar me 9 maj, në ora 09:30. Këtë fakt e vërteton edhe vendimi i policisë së Kumanovës, të cilët neve, me 4. 9. 2017, na kanë vërtetuar se për personin në fjalë, atë ditë është dhënë urdhër për mbajtje në polici. Po ashtu dëshmi tjetër të cilët e vërteton se i akuzuari Ajdini është arrestuar në këtë ditë, është ekspertiza e kryer për gjurmët e barotit, të cilën policia e ka realizuar me 9 maj ndaj tij. Nëse shkojmë më tutje me dëshmi, faktin se Besnik Ajdini është arrestuar me 9 maj e tregojnë edhe raportimet e mediave nga vendi i ngjarjes, ku shihet qartë se si i apostrofuari, së bashku me familjen shkon drejtë forcave policore për t’u dorëzuar. Brenda kohës, të cilën ne e vërtetojmë dhe akuzave të prokurorisë janë 40 orë të plota, të cilat janë shfrytëzuar për marrjen në pyetje të Ajdinit nga gjykatësi në procedurë paraprake, e që është realizuar në relacion Kumanovë-Shkup-Kumanovë-Shkup”, nënvizoi avokati Kurtishi.
Ndaj fjalimit të avokatit të tij u bashkëngjit edhe i akuzuari Besnik Ajdini, i cili tha se nuk ka asnjë farë lidhje me ngjarjet e ndodhur ne lagjen e tij dhe se problemi kryesor ka qenë se ai është banor i asaj lagje dhe asgjë më tepër. Ndryshe, fjalët e tij përfundimtare të martën i ka dhënë edhe i akuzuarit Nexhbedin Lika, i cili tha se tash e ka kuptuar peshën e ngjarjes dhe se ato ndodhi kanë ndodhur në një kohë të turbullt për të gjitha sferat e shoqërisë në vend. Po ashtu, ai shtoi se akuzat ndaj tij i ndjen si më të lehtë, për shkak se, siç tha, nuk ka kryer asnjë dëm ndaja askujt. Seanca e fundit për këtë muaj është caktuar për më 28 tetor, ndërkohë pas përfundimit të kësaj seance gjykatësja Verka Petrovska, pritet të caktoj datën se kur do të shqiptohet aktgjykimi kundër 37 të akuzuarve për veprën penale “terrorizëm” dhe “organizatë terroriste”, në mesin e të cilëve janë edhe 20 shtetas nga Kosova. (koha.mk)