Shkup, 1 mars – Naser Ajdari, jurist i diplomuar dhe prokuror shtetëror u propozua gjykatës i ri në Gjykatën Kushtetuese në seancën e sotme të Komisionit parlamentar për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve. Angel Solev, ish-gjykatës dhe Angele Ilievski, avokat, janë propozuar për anëtarë të rinj të Këshillit për Prokurorë Publikë.
Për kandidatët e propozuar të Komisionit nuk kishte debat. Kuorumin për votim e plotësoi deputeti i Besës, Fadil Zendeli.
Deputetët e VMRO-DPMNE opozitare nuk morën pjesë në punën e Komisionit, por u dërguan kumtesë mediave në të cilën reagojnë ashpër dhe siç theksojnë e kundërshtojnë jotolerancën dhe papërgjegjësinë e shumicës parlamentare dhe të kryetarit të Parlamentit Talat Xhaferit. Ata, sipas grupit parlamentar të VMRO-DPMNE-së, mungesën e opozitës në Parlament e keqpërdorin dhe e shfrytëzojnë për vazhdimin, e siç theksohet, partizimit që e bëjnë, këtë herë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Këshillin për Prokurorë Publikë.
“Zgjedhja e Naser Ajdarit, funksionar i BDI-së në vendin e zbrazët në Gjykatën Kushtetuese dhe zgjedhja e Angell Solevit dhe Angele Ilievskit që sipas shkrimeve të mediave janë anëtarë të komitetit juridik të LSDM-së, paraqet partizim klasik të këtyre dy organeve”, theksohet në kumtesë.
E akuzojnë shumicën parlamentare dhe Xhaferin, se përmes Komisionit shpejtë e shpejtë, duke shfrytëzuar mungesën e opozitës, duan ta implementojnë tregun politik përmes Kuvendit. Kjo, sipas tyre është dëshmi, se ata nuk synojnë Kuvend të pavarur dhe të fortë. Akuzuan se Xhaferit dhe shumicës parlamentare nuk u interesojnë reformat.
Në seancën e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve nuk u votua për anëtarët e Këshillit për ndarjen e çmimit “Nënë Tereza” sepse BDI-ja dhe Besa kishin mospajtime për një kandidat të propozuar. Artan Grubi propozoi anëtar i Këshillit të jetë Asllan Hamiti, në vend të anëtarit i cili ishte propozuar më parë nga Besa Huseinxhevat Hyseini. Deputeti Zendeli paralajmëroi se duhet të respektohet marrëveshja e arritur më parë. Seanca ishte ndërprerë, por nuk vazhdoi për shkak të mungesës së kuorumit.
Komisioni sot i zgjodhi anëtarët e Këshillit Buxhetor të Parlamentit të Republikës së Maqedonisë. Kryetar i Këshillit Buxhetor është nënkryetarja e Parlamentit, Frosina Tashevska Remenski, ndërsa sipas Rregullores zëvendëse e saj duhet të jetë kryetarja e Komisionit për financim dhe buxhet, Liljana Kuzmanovska, e cila vjen nga opozita. Anëtarë të grupit parlamentar të LSDM-së dhe koalicionit janë Jovan Mitrovski, Sonja Mirakovska dhe Kostadin Kostadinov, nga BDI-ja Ejup Alimi dhe Agim Shaqiri dhe Nexhbedin Karemani nga Besa. Në Këshill anëtarë duhet të propozojë edhe VMRO-DPMNE-ja opozitare.
Në seancën janë zgjedhur edhe anëtarë të Këshillit për ndarjen e çmimit për gazetari dhe publicistikë ” Mito Haxhi Vasilev Jasmin”. Kryetare e tij u zgjodh gazetarja Katerina Bllazhevska.