Disa ditë më parë, mesfushori i kombëtares shqiptare të futbollit, Astrit Ajdareviç, u largua nga klubi i AEK Athinës. Pas një eksperience të konsiderueshme në këtë klub, ku pati jo pak suksese, ndër to dhe ftesën në ekipin kombëtar të Shqipërisë, Ajdareviç tashmë është në pritje të gjetjes të klubit të ri. Për momentin mesfushori agresiv është kthyer pranë familjes së tij në Suedi, por po këtu pritet të jetë dhe e ardhmja e tij në futboll.
Janë mediat suedeze ato që tregojnë se dy janë alternativat e momentit për Astrit Ajdareviç. Goteborg është një prej klubeve që është lidhur së fundi me një inters për mesfushorin shqiptar, por gjasat janë që Ajdareviç të rikthehet te skuadra e Orebro.
Ish-klubi i mëhershëm i futbollistit shqiptar ka pranuar se lojtari është me cilësi, që do t`u bënte punë në skuadër. Tifozët e Orebro janë një tjetër faktor që shtyjnë klubin të afrojë lojtarin në skudër, tashmë që ai është me parametra zero. Ndërkohë, trajneri i Orebro, Axel Kjall, ka konfirmuar këtë fakt, në një intervistë të dhënë për mediat në Suedi.
“Astrit Ajdareviç është një lojtar shumë i mirë, që kam pasur privilegjin të punoj me të dhe ai ka qenë në klubin tonë më parë. Unë kam biseduar me të diku, edhe pse nuk ka qenë kohët e fundit këtu, di që Drejtori Sportiv, Mangus Skoldmark, ka pasur kontakte me të dhe agjentin e tij. Ne po presim të shohim se çfarë do të ndodh”-është shprehur trajneri i Orebro.