Pasi humbën shërbimet e Frenkie de Jong, i cili tashmë është zyrtarizuar te Barcelona, Ajax ka nisur punën për ndërtimin e një skuadre që të jetë konkuruese sërish për sezonin e ardhshëm. Kampionët e Eredivisie kanë nisur të mendojnë për mbrojtjen, aty ku mund të krijohet edhe boshllëku më i madh si pasojë e merkatos, ku kapiteni dhe lideri Matthijs De Ligt pritet të largohet.
“Harkëtarët” janë të ndërgjegjshëm që do të jetë thuajse e pamundur të mbajnë 19-vjeçarin edhe për një tjetër sezon ndaj dhe kanë nxituar të zyrtarizojnë afrimin e një qendërmbrojtësi, me shpresën për të zëvëndësuar De Ligt. Bëhet fjalë për Lisandro Martinez, 20-vjecarin argjentinas që vjen nga Defensa y Justicia. Argjentinasi, i cili nënshkroi deri në qershor 2023 me holandezët, konsiderohet si një talent i repartit të prapavijës. Sipas transfermarkt.de kartoni i Lisandro Martinez i ka kushtuar 7 milionë euro Ajaxit.