Klubi holandez Ajax Amsterdam ka anuluar kontratën e Abdelhak Nourit, që ka pësuar lëndime serioze dhe permanente në tru, pas sulmit në zemër që pësoi gjatë një ndeshje miqësore para-sezonale në mesin e vitit 2017, shkruan agjencia Reuters.
Ajaxi ka vazhduar të paguajë rrogën e futbollistit, por tash formalisht ka anuluar kontratën, që ishte paraparë të rinovohej automatikisht më 1 korrik. Klubi është në bisedime me familjen e Nourit për një zgjidhje të ardhme për lojtarin, që është rikthyer në shtëpinë e tij, në një dhomë të ndërtuar veçanërisht për nevoja e tij, pas viteve të kaluara në spital.
Ka pasur një betejë të gjatë mes Ajaxit dhe familjes së Nourit. Familja e Nourit po kërkon një marrëveshje pasi Ajaxi më herët ka pranuar se nuk ka ofruar shërbim adekuat mjekësor në fushë për Nourin, që pësoi sulm gjatë ndeshjes miqësore parasezonale kundër klubit gjerman Werder Bremen, në korrik të vitit 2017 në Austri.
Ndonëse u rikthye në jetë në fushë dhe u dërgua në spital, ai pësoi lëndime serioze dhe të përhershme në tru. Klubi holandez fillimisht kishte kërkuar një mendim të pavarur për incidentin, pasi kishte vlerësuar se ka vepruar sipas protokollit. Por, hetimet e mëtutjeshme konfirmuan se është dashur të përdorej defibrilatori.
Nouri, i lindur në Amsterdam nga prindër maroken, luajti 15 ndeshje për Ajaxin në stinorin debutues 2016-17 ndërsa ende ishte tinejxher. Ai tash është 22-vjeçar.