Rreth 13,000 njerëz, shumica prej tyre mbështetës civilë të opozitës siriane, janë ekzekutuar në fshehtësi në një burg në Siri, tha grupi për të drejtat e njeriut Amnesty International. Në raportin e tij thuhet se varje masive janë bërë çdo javë në burgun Sajdnaja, në veri të Damaskut, në periudhën shtator 2011 – dhjetor 2015. Amnesty tha se ekzekutimet e dyshuara janë autorizuar në nivelet më të larta të Qeverisë siriane. Grupi ka intervistuar 84 njerëz, përfshirë ish-roje, ish-të burgosur dhe ish-zyrtarë burgu për raportin e tij. Ai po ashtu bëri thirrje për hetim nga Kombet e Bashkuara. Qeveria më herët ka mohuar vrasjen ose keqtrajtimin e të burgosurve, shkruan REL.