Marrëveshja midis Bashkimit Evropian dhe Turqisë për refugjatët është një katastrofë dhe asnjëherë më nuk duhet të përsëritet, vlerësoi organizata “Amnesti interneshënall”, lajmëron DPA. Organizata u bëri thirrje liderëve botërorë të mos e marrin marrëveshjen e tyre si model për marrëveshje të ngjashme me Libinë, Sudanin dhe Nigerin. Tirrja u dërgua një vit pas fillimit të marrëveshjes midis BE-së dhe Turqisë. Marrëveshja kishte për qëllim të zvogëlohet fluksi i refugjatëve drejt Evropës me kthimin e azilkërkuesve në Turqi, që u përcaktua si vend i sigurt. Sipas organizatës joqeveritare, në të vërtetë kjo marrëveshje është arsyeja për shkak të së cilës mijëra persona janë “lëshuar” në ishujt greke.
Në raportin, që është titulluar si “Model për dëshpërim”, Amnesti Interneshënall i përshkruan kushtet për jetë në kampet si “dëshpëruese”, duke theksuar se në ato vende njerëzit janë të mbingarkuar, nuk ka ujë të ngrohtë, higjienë të mjaftueshme, ushqimi është i keq, ndërsa shërbimet shëndetësore nuk janë në nivel të duhur. Në mars të vitit 2016 BE-ja u dakordua me Ankaranë, që refugjatët të cilët do të arrijnë në ishujt greke përmes Detit Egje të kthehen në Turqi. Këta refugjatë e mbështesin të drejtën që të aplikojnë për azil fillimisht në Greqi, pas çka procedurat ngadalësohen dhe në realitet pothuajse nuk ka persona të kthyer në Turqi. “Amnesti interneshënall” gjithashtu pohon se e drejta ndërkombëtare është shkelur me atë që refugjatët të cilët janë kthyer mbrapa nuk iu është dhënë mundësi të parashtrojnë kërkesë për azil ose të parashtrojnë ankesë për kthimin në Turqi.