Shkup, 9 mars – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se Gjermania qëndron pas gjithë atyre forcave që janë të angazhuar që ky vend të reformohet, që ky vend të mos ketë përplasje, por të ketë transferim paqësor të institucioneve. “Gjermania është e interesuar që të ketë stabilitet. Jemi duke biseduar me të gjitha partitë politike relevante që nuk ka nevojë as për zhurmë as për përplasje që të vazhdoj punën normalisht parlamenti i Republikës së Maqedonisë”, ka thënë Ali Ahmet pas takimit me diplomatin gjerman, Kristijan Helbah. Ai dhe diplomati Hellbach kanë diskutuar për situatën e krijuar pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe zhvillimeve politike në vend, me theks të veçantë mbi përpjekjet për dalje nga ngërçi institucional dhe politik. Ahmeti foli për rolin e BDI-së për mbajtjen e zgjedhjeve gjithëpërfshirëse dhe të besueshme si dhe për insistimin e partisë për përmbyllje të Marrëveshjes së Ohrit, reforma sistemore dhe integrim euroatlantik. Lideri i BDI-së ka thënë se zgjedhjet janë bërë për ta zgjidhur krizën, jo për ta vazhduar atë e as për ta thelluar. Hellbach theksoi që Gjermania vlerëson vendimin e z. Ahmeti dhe nënvizoi mbështetjen e Berlinit për një Maqedoni të integruar në strukturat euroatlantike dhe me sundim efikas të së drejtës. Ahmeti njoftoi mysafirin e lartë nga Berlini që po bëhen përpjekje për ta zhbllokuar Parlamentit në mënyrë që të fillon funksionimi i institucioneve. Njëkohësisht, Ahmeti theksoi që arsyetimet e Ivanovit janë të paqëndrueshme, sepse Deklarata e përbashkët është përmbledhje e programeve zgjedhore të partive parlamentare shqiptare dhe nuk cenon në asnjë mënyrë rendin kushtetues të vendit.