Shkup, 10 nëntor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim , Ali Ahmeti, kryetari i Shtabit zgjedhor, Bekim Neziri, si dhe shumë drejtues të lartë të kësaj partie, në kuadër të takimeve të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në Maqedoni, sonte realizuan takim me banorët e Studeniçanit. Ahmeti, pasi përshëndeti gjithë anëtarët dhe simpatizantët e BDI, deklaroi se janë në situata ku duhet të punojnë dhe veprojnë me zemra të hapura dhe të pastra, ta thonë në sy atë që mendojnë. “Jo të veprojmë ndryshe para syve dhe ndryshe pas shpine, sepse gjërat e mira vijnë duke qenë të sinqertë të hapur me njëri-tjetrin. Zoti nuk ndihmon ata që ndryshe flasin dhe ndryshe veprojnë. Sesa jemi të sinqertë ndaj njëri-tjetrit është pikërisht Zoti që na vlerëson. Bëhen gati 30 vjet që jam në veprimtari. Më ka rastisur të kem situata shumë të rënda deri në momente sa që do mbijetoj ose të kapërcej vështirësi. Por gjithçka që buron nga zemra dhe sinqeriteti, e ke Zotin aty pranë”, tha fillimisht Ahmeti. Ai më tej gjatë fjalimit tha se shqiptarët në Maqedoni kanë fituar lirinë me shumë sakrifica. “Shtrohet pyetja a kemi fituar të gjithë barazinë? – Jo. Kjo barazi do të thotë se duhet të ketë zona ekonomike jo vetëm në Strumicë dhe Shkup, por në të gjitha vendet ku jetojnë shqiptarë. Ne duam hakun tonë, e jo të tjerëve. Tani duhet të ecim për barazinë e plotë të shqiptarë. Jo që nuk kemi arritur sukses”, tha kreu i BDI-së. Ata që thoshin se Ali Ahmeti shikon ëndrra me investimet e huaja, tani është bërë realitet. “Pse e hapa këtë temë. Ne kemi sot zona ekonomike në mes Likovës e Kumanovës, në Kërçovë dhe Strugë. Njëlloj kjo do jetë e realizueshme edhe në Karshiakë. E sotmja duhet të na shërbejë se çfarë kemi bërë mirë dhe çfarë kemi bërë keq, që e nesërmja të jetë edhe më e mirë. Para 15 viteve ndryshe është punuar me shqiptarët, pas 15 vitesh shqiptarët janë ndryshe. Nuk pajtohem me ato që shqiptarët nuk kanë arritur asgjë, se shqiptarët kanë fituar luftëra, kanë ndryshuar kushtetuta dhe kanë nënshkruar marrëveshje me NATO. Kjo nuk ka qenë e lehtë. Fjala pas kuvendi dhe pushka pas lufte nuk kanë më vlerë”, tha Ahmeti. Nga Studeniçani, ai u apeloi të gjitha partive opozitare shqiptare të bashkohen e të mos përçajnë votën. “I rëndësishëm bëhesh kur ke mandate, kur ke deputetë. Kur përçahesh, humbet forcën goditëse. Bëhuni të gjithë bashkë, që të konkurroni BDI. Por dijeni se kjo parti është një aset kombëtar dhe mos mendoni ta zhdukni atë”, përfundoi Ahmeti.