Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ndërkohë ka uruar qytetarët e Maqedonisë, institucionet e vendit, të gjitha partitë politike të cilat kontribuuan në mbarëvajtjen e procesit të referendumit për shfaqjen e qytetarisë dhe kulturës demokratike, shkruan gazeta KOHA. “Sot, ne demonstruam kapacitete demokratike të denja për një vend pretendent për integrim në NATO dhe në BE. Ky proces i reformave, barazisë dhe mbylljes së çështjeve me fqinjtë tanë garanton paqe të qëndrueshme, siguri, stabilitet, marrëdhënie të mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike, zhvillim ekonomik, më shumë vende pune, investime vendore dhe të huaja si dhe mirëqenie shoqërore. Unë dhe Bashkimi Demokratik për Integrim që në fillim e kemi thënë që vendimmarrja i takon institucioneve të vendit të zgjedhura në mënyrë legjitime dhe me kapacitet të plotë vendim-marrës”, ka thënë Ahmeti. Sot, ka vijuar më tej ai, qytetarët e vendit ia deleguan vendimmarrjen Parlamentit të Maqedonisë dhe deputetëve të zgjedhur në zgjedhje legjitime dhe demokratike. “Ne jemi të zgjedhur që të marrim vendime të rëndësishme, vendime të guximshme, e jo të kalkulojmë për zgjedhjet e ardhshme dhe mandatin e ardhshëm. Me votën tonë në Parlament, ne e përcaktojmë të ardhmen e vendit tonë, të ardhmen e gjeneratave që vijnë pas nesh, por edhe të ardhmen e rajonit të Evropës Juglindore. Në zgjedhjet e vitit 2016, ne u zotuam për barazi, integrim euroatlantik, reforma të thella sistemore, shtet ligjor dhe sundim të së drejtës si dhe zhvillim ekonomik”, është shprehur Ahmeti. Gati se të njëjtat premtime, ka shtuar Ahmeti, i dhanë edhe të gjitha partitë tjera parlamentare dhe bashkë u mandatuam për realizim të këtyre premtimeve të dhëna para qytetarëve. “Prandaj, kjo përbërje e Kuvendit ka mandat për zgjidhje të çështjeve me fqinjtë dhe integrim të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe me vendimin e tyre, sot qytetarët e deleguan të drejtën e vendimmarrjes tek deputetët dhe institucionet e vendit. Maqedonia alternativë tjetër nuk ka përveç se integrimit në NATO dhe në Bashkimin Evropian”. (koha.mk)