Shkup, 22 tetor – Vendimi për të shkuar në zgjedhje unë personalisht nuk mendoj se ishte i përshpejtuar, pas asaj që ndodhi. Duhet ditur se jemi pranë anëtarësimit në NATO dhe kanë mbetur shumë pak vende për të ratifikuar protokollin. A nuk është fitore anëtarësimi në NATO. Bashkimi Evropian është proces dhe nuk duhet dorëzuar, deklaroi sonte lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në emisionin debativ “Argument” në Televizionin shtetëror TVM2, ku foli mbi zhvillimet aktuale politike përballë analistëve Xhelal Neziri dhe Ibrahim Mehmeti dhe gazetarëve Fatos Musliu dhe Merita Gashi.
Në pyetjen e gazetarëve, se a është turpëruar nga partitë e shumta në bllokun shqiptar, Ahmeti u përgjigj se më të vërtetë e kanë dëshpëruar dhe e kanë zhgënjyer.
“Vërtetë dëshpërohem kur në takime me delegacione të huaja, shkojmë gjashtë liderë nga partitë shqiptare ndërkaq, maqedonasit shkojnë me dy liderë. Rasti i fundit ishte tek presidenti i shtetit z. Pendarovski, ku z. Menduh Thaçi ju drejtua presidentit se si përfaqësues i pozitës është dashur të thirrem unë ndërkaq sipas fitores nga opozita z.Bilall Kasami nga Lëvizja Besa. Unë e kam thënë se duhet vetëm dy parti politike shqiptare dhe ju kam bërë thirrje që të bashkohen dhe të dalin si një opozitë e fortë. VMRO dhe LSDM-ja kanë shumë parti satelite gjë që edhe unë kam mundur të bëjë akrobacione të tilla por nuk janë marrë me ‘merkato’. Në zgjedhjet e fundit shqiptarët humbën 10 mandate, BDI-ja fitoi, humbën shqiptarët”, nënvizoi Ahmeti.
Ahmeti, gjatë debatit bëri të ditur se zgjedhjet që bëhen në degë janë më transparentet që ka bërë ndonjëherë ndonjë parti politike shqiptare në vendin tonë.
“Asgjë nuk fshihet gjithçka është transparente. Deri më tani 97 për qind e drejtuesve të rinj, kryetarë të këshillave vendorë dhe kryetarë të degëve janë figura të reja, përveç se në Prespë ku ka mbetur i mëparshmi. Nuk di vend tjetër se a ka ngelur ndonjë kryetar i kaluar në pozitën e njëjtë. Nuk duhet paragjykuar se kush do të jetë kryetar dege në vende tjera ende pa mos hyrë në garë duhet lërë momentin dhe në mënyrë të drejtpërdrejt në televizion dhe në facebook qytetarët mund të shohin përzgjedhjen e kryetarëve të degëve andaj këtë javë kemi zgjedhjen e kryesisë së degës në Tearcë për t’u vërtetuar një gjë e tillë se sa demokratik është procesi në BDI”, nënvizoi Ahmeti.(koha.mk)