Ahmeti tenton të pajtojë Zaevin me Mickoskin , LSDM dhe VMRO larg arritjes së kompromisit

Kreu i BDI-së Ali Ahmeti, po përpiqet t’i ulë në tavolinë dy liderët e partive më të mëdha në vend Zoran Zaev dhe Hirstian Mickoskin. Këtë e ka konfirmuar deputeti i BDI-së Xhevat Ademi. Ai thotë se Ahmeti, ka takuar dy liderët e partive dhe se pret përgjigje për një takim liderësh.

“Po Ali Ahmeti, është takuar edhe me Zoran Zaevin dhe Mickoskin, po bën përpjekje maksimale për ta zhbllokuar procesin për ta rikthyer debatin në Parlament dhe për ta hapur kontestin e miratimit të amendamenteve për ndryshimeve kushtetuese , për përmbushje të detyrimeve që dalin nga Marrëveshja e Prespës” deklaroi deputeti i BDI-së, Xhevat Ademi.

Zëdhënësi i partisë opozitare Dimçe Arsevski, thotë se për takim të liderit të tij me Ahmetin, nuk është i njoftuar. Ai thotë se partia e tij mbetet në qëndrimin e saj për qeveri teknike, kryeprokuror dhe komision anketues për referendumin.

“Në komitetin qendror në mënyrë të qartë i kemi potencuar 3 përfundime që i kemi marrë. Kështu që gjithçka tjetër vlerësojmë se duhet të zbatohet në raport me plotësimin e tre përfundimeve e ajo është emërimi i një prokurori publik të ri, komisioni anketues për të cilin kemi dërguar kërkesë dhe Qeveria e Përzhinos sipas marrëveshjes për të cilën jemi marrë vesh paraprakisht” deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.

Një apel drejt deputetëve të VMRO-DPMNE u dërgua edhe sot para godinës së VMRO-së nga deputeti i LSDM-së Muhamed Zekiri. “Por, nëse Mickoski dhe udhëheqësia e VMRO-DPMNE-së, vazhdojnë me shpikjen e kërkesave tjera të palogjikshme, të fokusuar në amnisti, kjo do të jetë shenjë e qartë se dëshirojnë ta bllokojnë rrugën e Maqedonisë drejt BE-së dhe NATO dhe ta kthejnë vendin në izolim. Atëherë zgjidhja e vetme janë zgjedhjet e parakohshme të cilat duhet të organizohen menjëherë për të mirën e shtetit. Mickoski nuk do të mund të ikë nga vullneti i qytetarëve” deklaroi nënkryetari i LSDM-së, Muhamed Zekiri.

Deri në fund të javës vazhdojnë bisedimet në mënyrë individuale mes deputetëve të pushtetit dhe opozitës për të siguruar shumicën e nevojshme për ndryshimet kushtetuese. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u paralajmëruan nga kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev pas referendumit të 30-shtatorit, si mundësi e vetme e sigurimit të votës “për” të 80 deputetëve të nevojshëm për miratim të ndryshimeve kushtetuese që parashihen me Marrëveshjen e Prespës. Si datë për zgjedhje të parakohshme përmendet 25 nëntori. /tv21/