Shkup, 31 tetor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti në Ambasadën Amerikane në Shkup ka takuar dje Metju Palmer, zëvendës ndihmës sekretar i shtetit amerikan, Daniel Konstelancik, drejtor për Ballkanin në Departamentin e Shtetit dhe ambasadoren e SHBA-së në Maqedoninë e Veriut, Kejt Burns.
Ahmeti dhe autoritetet amerikane kanë këmbyer mendime mbi zhvillimet politike në Maqedoninë e Veriut, anëtarësimin në NATO si dhe zgjedhjet e parakohshme.
“Ahmeti theksoi që BDI është garantues i Marrëveshjes së Prespës, asaj të Ohrit dhe marrëveshjes për fqinjësi të mirë me Bulgarinë nga çka nuk ka kthim pas në asnjë rrethanë. Lideri Ahmeti falënderoi autoritetet amerikane për ndihmesën e madhe në përpjekjet tona për të marrë datë për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian, por akoma më shumë për ecurinë e shkëlqyer të anëtarësimit tonë në NATO në muajt vijues. SHBA mbështesin tërësisht përpjekjet euroatlantike të Maqedonisë së Veriut dhe reformat në vend, në veçanti në sundimin e ligjit”, thuhet në komunikatën e kabinetit të Ahmetit.
Ndryshe, në takim u diskutua edhe për reformat e theksuara në kuadër të BDI-së si dhe rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. (koha.mk)