Shkup, 27 dhjetor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka takuar të martën në selinë e partisë në Tetovë ambasadorin e Holandës në Maqedoni, Vauter Plomp. Ahmeti dhe Ambasadori Holandez shkëmbyen opinione për situatën e krijuar të zhvillimeve pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit dhe të ardhmen e vendit, informon partia përmes një njoftimi për mediat. Kryetari i BDI-së Ahmeti theksoi se BDI është duke analizuar me shumë kujdes situatën dhe është e vetëdijshme për vendimet e vështira që duhet të merren në të ardhmen e afërt duke marrë parasysh të gjitha rrethanat e krijuara. Ahmeti theksoi se barazia gjuhësore, reforma sistemore, barazia ekonomike dhe integrimi mbeten prioritete, por edhe transparenca e proceseve gjyqësore të cilat kanë rezultuar me dilema në opinion. BDI është e përkushtuar në realizimin e programit të vet politik në përputhje me pritshmëritë e qytetarëve në këto kohëra të vështira dhe sfiduese. Ahmeti foli edhe për nevojën e përpilimit dhe miratimit të një platforme të përbashkët politike të partive parlamentare shqiptare dhe BDI mbetet e përkushtuar dhe e hapur tërësisht për të arritur sukses në këtë iniciativë jashtëzakonisht të rëndësishme