Tetovë, 27 tetor – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e partisë në Tetovë, shefin e misionit të OSBE në Shkup, Ambasadorin Klemens Koja. Ata diskutuan për situatën politike në vend, ndryshimet kushtetuese, reformat si dhe Marrëveshjen e Ohrit.
Ahmeti u shpreh i kënaqur nga përkrahja për ndryshimet kushtetuese në Kuvend që mundëson zbatim të marrëveshjes së Prespës dhe sjellje të vendit edhe një hap më afër NATO-së dhe BE-së. Ai gjithashtu foli për përkushtimin e tij dhe të BDI-së për reforma sistemore dhe sundim të ligjit si një nga kushtet kryesore nga negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Në takim gjithashtu u fol edhe për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit si një nga dokumentet themeluese të shtetit tonë.