Kryetari i BDI-së është takuar sot në Ambasadën e SHBA-ve në Shkup me Ambasadorin Amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli. Ahmeti dhe Ambasadori Bejli kanë biseduar rreth formimit të Qeverisë së re reformuese dhe për situatën politike në vend dhe rajon. Gjatë bisedës Ahmeti theksoi që BDI është e përkushtuar për reforma në shtet duke filluar fuqishëm me reformimin e gjyqësorit dhe sundimit të së drejtës. Prioritete tjera të Qeverisë mbeten edhe marrëdhëniet ndëretnike dhe Marrëveshja e Ohrit bashkë me rritjen e standardit jetësor, zhvillimin ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës. Ahmeti shprehu bindjen që javën që vjen, Maqedonia do ta ketë qeverinë e re reformuese.