Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti është takuar sot me ambasadoren e Turqisë në Maqedoni, Tylin Erkal Kara. Kryetari Ahmeti dhe ambasadorja e Turqisë diskutuan për situatën politike në vend dhe marrëdhëniet bilaterale midis Shkupit dhe Ankarasë, qëndron në kumtesën e BDI-së. Kryetari Ahmeti uroi ambasadoren Tylin Erkal Kara për detyën e re duke i dëshiruar shëndet dhe suksese në punën e saj. Ahmeti prezantoi pesë opsionet e mundshme të BDI-së për dalje nga kriza politike duke theksuar qasjen tonë shumë të kujdesshme në adresimin e këtij ngërçi për arsye të ndjeshmërisë së madhe të situatës në vend, por edhe në rajon.
BDI ka konsideratë për rëndësinë që vendimi ynë e ka dhe prandaj shqyrton thelbësisht dhe gjerësisht çdo probabilitet, çdo avantazh dhe çdo pasojë që mund të ketë përcaktimi jonë. Ahmeti dënoi përpjekjen e dështuar për grushtet në Turqi duke thënë që marrja e pushtetit me dhunë është e patolerueshme, dhe njëkohësisht dënoi edhe sulmet terroriste në Turqi duke shfaqur solidaritet me popullin turk dhe ngushëllime për viktimat. Bashkëbiseduesit, shtohet në kumtesë gjithashtu biseduan edhe për çështje tjera të interesit të ndërsjellë dhe u dakorduan që të vijojnë dialogun konstruktiv.