Shkup, 20 shkurt – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti sot është takuar me ambasadorin e Holandës në Maqedoni Vauter Plomp.
Ata kanë diskutuar për zhvillimet politike, kontestin e emrit, ligjin për gjuhët si dhe për integrimin EuroAtlantik.
Lideri Ahmeti, siç thuhet në kumtesën nga partia, i ka elaboruar qëndrimet e BDI-së rreth negociatave për çështjen e emrit me Greqinë, të ndërmjetësuar nga Nimic.
“BDI inkurajon zgjidhje të shpejtë të këtij problemi të stërzgjatur dhe mbështet plotësisht dialogun e drejtpërdrejt drejt zgjidhjes”, ka theksuar Ahmeti.
Ai ka përsëritur qëndrimin për Ligjin për Gjuhët duke theksuar që miratimi përfundimtar është çështje ditësh dhe që të gjithë duhet të japin kontribut në rrumbullakësimin e suksesshëm të pjesës normative të Marrëveshjes Paqësore të Ohrit.
Bashkëbiseduesit gjithashtu kanë këmbyer opinione rreth punës së Kuvendit dhe Ekzekutivit, me ç’rast, Ahmeti ka theksuar pritjet e tija më të mëdha në adresim të sfidave të përditshme.