Shkup, 27 mars – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti sot në Shkup ka realizuar takim pune me ambasadorin e Francës, Kristian Timonie.
Ahmeti foli për zhvillimet e fundit në vend, reformat në gjyqësor, sundimin e së drejtës, zgjedhjet presidenciale, por edhe ato parlamentare evropiane, si dhe gjendjen në rajon.
Ai gjithashtu në takim, siç thuhet në kumtesën e Zyrës për Informim të BDI-së, e ka theksuar rëndësinë e zbatimit të reformave në drejtim të sundimit të së drejtës dhe plotësimin e standardeve evropiane duke shtuar pritjen e tij për arritjen e konsensusit me opozitën rreth projekteve reformuese.
“BDI është tërësisht e përkushtuar për të mbështetur dhe zbatuar reformat me shpresën që në qershor këto përpjekje tona do të vlerësohen nga Brukseli”, ka thënë Ahmeti.
Ambasadori i Francës zbardhi pikëpamjet franceze mbi zhvillimet në vend, rajon dhe në Bashkimin Evropian, ndërsa theksoi mbështetjen e Parisit për vendin tonë.
Ahmeti dhe ambasadori Timonie gjithashtu diskutuan edhe për dialogun Prishtinë – Beograd. Bashkëbiseduesit, siç theksohet më tej në kumtesë, njëkohësisht diskutuan edhe rreth procesit të ndërtimit të BDI-së për dy dekadat e ardhshme.