Shkup, 19 dhjetor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka qëndruar sot në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Shkup ku ka realizuar takim pune me Ambasadorin e SHBA në Maqedoni, z. Xhes Bejli. Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Bejli shkëmbyen mendime rreth procesit zgjedhor dhe situatës së krijuar pas zgjedhjeve në vend. Lideri i BDI-së Ahmeti foli për qëndrimet e BDI-së në drejtim të dhënies së kontributit për stabilitet dhe qëndrueshmëri në shtet dhe siguri për qytetarët. Ahmeti theksoi rëndësinë e përmbylljes së Marrëveshjes së Ohrit, por edhe barazisë gjuhësore dhe ekonomike, reformave dhe sundimit të ligjit si dhe integrimin euroatlantik. “Ahmeti theksoi që të gjitha të arriturat në 15 vitet e fundit në vend janë realizuar në bashkëpunim me komunitetin ndërkombëtar, përfshirë edhe zgjidhjen e krizave, andaj dhe ky partneritet strategjik i BDI-së me aleatët euro-amerikan do vijojë në frymën e përmbushjes së interesit të përbashkët, anëtarësimit të plotë në NATO dhe BE. Kryetari Ahmeti gjithashtu foli edhe për rryma të caktuara që duan pasiguri, paqëndrueshmëri dhe paparashikueshmëri gjeopolitike të vendit dhe siguroi miqtë tanë që BDI është e përkushtuar në ruajtjen e stabilitetit, orientimit strategjik të vendit dhe partneritetin me Brukselin dhe Uashingtonin. Bashkëbiseduesit u dakorduan që të vijojnë dialogun në ditët në vijim”, thuhet në komunikatën e BDI-së.