Shkup, 18 janar – Liria jonë nuk është e plotë pa NATO-n, brezat e ardhshme duhet të jenë falënderues dhe ta vlerësojnë Aleancën, konsideron kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, në takimin e sotëm me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg dhe bashkëpunëtoret e tij nga aleanca veriatlantike.
Ahmeti tha që NATO ka patur rol vendimtar në vend e rajon dhe ka shpëtuar Maqedoninë nga gremina duke kontribuar në paqen, sigurinë dhe stabilitetin, por edhe në reformat dhe institucionet demokratike të vendit.
Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Stoltenberg, siç citohet në njoftimin e BDI-së,tha që roli personal i Ahmeti dhe i BDI-së është shumë i rëndësishëm dhe e falënderoi atë për kontributin në të gjitha proceset në vend.
Stoltenberg theksoi që dera e NATO-s mbetet e hapur dhe na inkurajoi që të adresojmë reformat dhe çështjen e emrit.
Lideri i BDI-së konfirmoi se partia e tij do të mbetet partner kredibil i NATO-s, SHBA-së, BE-së dhe tha që përpjekjet tona për rreshtim në aleancën veriatlantike nuk do të ndalen sepse ky është vullneti ynë kombëtar, strategjik, ideologjik.
Ahmeti dhe Stoltenberg diskutuan edhe për gjeopolitikën, rolin rus në Ballkanin Perëndimor, reformat dhe Marrëveshjen Paqësore të Ohrit.