Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka shtruar një drekë lamtumirës për ambasadorin amerikan në Maqedoni, Xhes Bejli, i cili largohet nga detyra në fillim të marsit.
Ahmeti dhe ambasadori Bejli kanë bërë retrospektivë të bashkëpunimit katër vjeçar dhe të arriturave të vendit në këtë periudhë.
Bashkëbiseduesit gjithashtu këmbyen mendime për BDI-në dhe për perspektivat në dy dekadat para nesh, anëtarësimin në NATO dhe BE, reformat, zgjedhjet presidenciale, si dhe për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë.
“Ahmeti shprehu mirënjohje për ambasadorin Bejli dhe rolin e tij mbështetës për dalje nga kriza dhe hapërim drejt integrimit euroatlantik. Bejli ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të arriturat e sotme dhe Ahmeti u shpreh falënderues duke thënë që bashkërisht krizën e shndërruam në mundësi dhe atë mundësi e shfrytëzuam më së miri në dobi të qytetarëve.
Në këtë periudhë, u mbyllën kontestet me Greqinë dhe Bullgarinë, u arrit barazia gjuhësore, de fakto jemi anëtar të NATO-s dhe urojmë që në qershor të marrim datën për fillim të negociatave për anëtarësimin në Bashkimin Evropian. Por mbetet akoma shumë punë për të bërë si për reformën në organet e sigurisë, administratës dhe sundimin e së drejtës”, thuhet në komunikatën e kabinetit të Ahmetit.
Në fund, Ahmeti theksoi që kur do që të kthehet për ta vizituar Maqedoninë, ambasadori Bejli do të gjen konak në shtëpinë dhe familjen e tij.(koha.mk)