Marrëveshja për emrin duhet të arrihet sa më shpejtë dhe ajo të ratifikohet në Parlament. Referendumi i mundshëm mund ta ndërlikojë procesin, theksoi lideri i BDI-së, Ali Ahmeti në takimin e sotëm me eurodeputetët VIktor Boshtinaru, Tanja Fajon dhe Tonino Picula. “Kompromisi për zgjidhjen e kontestit për emrin duhet të arrihet tani duke i respektuar karakteristikat e palëve dhe duke menduar për të ardhmen e përbashkët në familjen evropiane”, kumtojnë nga BDI.
Ahmeti dhe tre eurodeputetët, siç kumtuan nga partia, biseduan shumë hapur dhe miqësisht për çështjet e interesit të përbashkët, siç janë integrimi euroatlantik, fqinjësia e mirë dhe reformat. Eurodeputetët, kumtojnë nga BDI, shprehën mbështetje të plotë ndaj agjendës së shumicës parlamentare dhe qeverisë reformuese. Ahmeti e përshëndeti mbështetjen e eurodeputetëve dhe tha se periudha që na paraprin është vendimtare, jo vetëm për Maqedoninë, por edhe për rajonin. Lideri i BDI-së i bindi mysafirët se zbatimi i reformave sistemore në vend nuk do të ndalet dhe shfaqi bindje se opozita do të marrë pjesë në këtë proces për të mirën e qytetarëve.