Shkup, 17 tetor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti sot me rastin e takimit me kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama deklaroi se kanë biseduar për ngjarjet aktuale politike në Maqedoni dhe për mundësitë për bashkëpunim të ardhshëm. “Kishim takim shumë të dobishëm, e informova për ngjarjet politike në vend rreth zgjedhjeve lokale dhe të gjitha proceset që u zhvilluan sepse kishte interes të madh nga kryeministri Rama”, deklaroi Ahmeti. Sipas tij, Shqipëria është shumë e interesuar për stabilitetin politik, gjegjësisht për stabilitet të qëndrueshëm në Republikën e Maqedonisë. “Kryeministri Rama na inkurajoi të vazhdojmë po kështu edhe në raundin e dytë dhe Republika e Maqedonisë të vazhdojë me proceset e filluara drejt zbatimit të reformave në gjyqësi dhe në rrugën drejt integrimit euroatlantik. Dëshiroi të kemi sukses dhe u interesua edhe për thellimin e bashkëpunimit të dy vendeve tona dhe për implementimin e të gjitha marrëveshjeve bilaterale”, tha Ahmeti. Duke u përgjigjur pyetjes së gazetarëve, Ahmeti lidhur me platformën e Shqiptarëve tha se Rama nuk ka ardhur në Shkup, të bëjë platformë të Shkupit, por për shkak të Samitit 100 në të cilin janë kryeministrat nga EJL dhe e ka shfrytëzuar mundësinë të takohet, siç tha lideri i BDI-së, edhe me miqtë. Ahmeti i hodhi poshtë pohimet nga partitë e tjera të shqiptarëve në Maqedoni për presione ndaj votuesve gjatë raundit të parë të zgjedhjeve lokale. “Nuk dua të komentojë trillime. Ky është lajm i rrejshëm për presion ndaj qytetarëve. Nëse ka pasur raste të tilla le t’i paraqesin në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve dhe në institucionet e tjera. Unë nuk jam kujdestar në KSHZ as në Prokurori dhe nuk bëj punë të tilla. Unë jam kryetar partie dhe më intereson procesi të jetë i lirë, korrekt dhe demokratik”, tha Ahmeti. Në raundin e dytë të zgjedhjeve lokale pret qytetarët ta shprehin vullnetin e tyre lirshëm. I përgënjeshtroi informacionet se partia e tij ka marrëveshje të fshehta me parti të tjera politike për mbështetje në raundin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale. “Ne asnjëherë nuk kemi bërë marrëveshje të fshehta apo çfarëdo qoftë akrobaci dhe do të përpiqemi edhe më tej të mbjellim energji pozitive dhe është shumë me rëndësi njerëzit të votojnë lirshëm dhe të përcaktohen lirshëm për kandidatin më të mirë i cili do t’i udhëheqë komunat në të ardhmen”, tha Ahmeti. Tha për çdo aktivet që do ta ndërmarrin do ta informojnë opinionin. Kryeministri shqiptar Rama sot në Shkup përveç me Ahmetin u takuan edhe me liderët e Aleancës për Shqiptarët dhe Lëvizjes BESA, Zijadin Sela dhe Bilall Kasami, si dhe kryetarin e VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevskin. Mbrëmë ai realizoi takim edhe me kryeministrin Zoran Zaev.