Prishtinë, 13 shkurt – Bashkëkryesuesi i ekipit të Kosovës për negociata me Serbinë, lideri i Partisë Socialdemokrate (PSD), Shpend Ahmeti, pas takimit të sotëm me kreun shtetëror të Kosovës, deklaroi se qëndrimet lidhur me taksën prej 100 për qind ndaj importimit nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina mbeten të pandryshuara.
Ahmeti pas takimit të sotëm në Kuvendin e Kosovës me presidentin e shtetit Hashim Thaçi, spikerin e parlamentit Kadri Veseli dhe kryeministrin Ramush Haradinaj, deklaroi para gazetarëve se në takim është folur për të dyja temat – platformën e ekipit shtetëror për negociata me Beogradin dhe kërkesën me shkrim prej Uashingtonit zyrtar për pezullimin e taksës ndaj Serbisë dhe BeH-së.
“Për platformën i kemi edhe disa debate dhe presim të premten ta dorëzojmë në Kuvend. Jemi duke e shqyrtuar edhe një herë me udhëheqësinë e shtetit, për të parë nëse ka ndonjë koment, por nuk ka kurrfarë mospajtimesh. Pjesa e dytë e takimit më shumë ishte informim i kryetarit të Kuvendit, i cili deshi të bindet prej të gjithëve nëse e kanë marrë letrën prej SHBA-së”, deklaroi Ahmeti.
Ai shtoi se nuk ka mospajtime për çështjen e taksës, por se pas këtij takimi asgjë nuk ka ndryshuar në qëndrime.
“Duhet të jemi të bashkuar. Nëse vendosim ta ruajmë taksën atëherë le ta ruajmë, nëse jo – le ta pezullojmë”, deklaroi Ahmeti.
Mediat dje e publikuan letrën të cilën Uashingtoni zyrtar ia dërgoi kreut shtetëror të Kosovës, në të cilën kërkohet të suspendohet taksa, me qëllim që të zhbllokohet dialogu midis Prishtinës dhe Beogradit. Në të kundërt, SHBA, paralajmëron se do të vendosë sanksione ndaj Kosovës, midis tjerash edhe në sferën e sigurisë, që interpretohet si paralajmërim për ndërprerjen e ndihmës ushtarake për Forcat e Sigurisë (FSK), gjegjësisht Ushtrinë e Kosovës.
Për pezullimin apo suspendimin e përkohshëm të taksës angazhohen presidenti Thaçi dhe partneri kryesor i koalicionit i Haradinaj, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) e Veselit, ndërsa kryeministri dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me këmbëngulësi insistojnë për qëndrimin se ajo do të pezullohet atëherë kur Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës.