Tetovë, 6 mars – Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti sot në Dobrosht të Tetovës deklaroi se nuk ka dialogje për krijim të, siç tha, ndonjë partneriteti për koalicion.
“Mendoj se këto janë disa ngjarje të cilat dalin nga politika ditore, nuk ka diçka për t’u cekur, nuk ka ndonjë dialog apo ngjashëm për krijim të ndonjë partneriteti për koalicion. Opozita si edhe çdoherë ka për qëllim t’i bëjnë vërejtjet e veta sepse roli i opozitës çdokund është i njejtë, ta avancojnë demokracinë dhe të jenë pjesë e një procesi të rëndësishëm dhe detyrë e tyre është të mos dakordohen me shumicën parlamentare”, tha Ahmeti duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve për deklaratën e kryeministrit Zoran Zaev për pushtet të përbashkët të Qeverisë me opozitën.
Sipas tij, gjërat mes partnerëve qeveritarë po shkojnë mirë.
“Kemi komunikim, ka bashkëpunim dhe bashkëpunim të mirë, ndërsa gjërat pozitive janë në kuptim të kërkesave aktuale për çka jemi shumë të angazhuar, siç është sundimi i së drejtës, përfundimi i negociatave me palën bullgare. Nëse kemi përgjigje pozitive nga komuniteti evropian, të cilat merren me analizat e tyre për avancim të aspiratave të shtetit tonë drejt Bashkimit Evropian. Shpresoj dhe besoj se së shpejti do të gjendet një zgjidhje edhe me palën bullgare në kontekst që sa më shpejtë të fillojnë negociatat për anëtarësim të vendit tonë në BE”, theksoi Ahmeti.
Në fshatin Dobrosht sot u lëshua në përdorim salla e re sportive shkollore.