Tetovë, 28 dhjetor – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti, ka pritur në selinë e partisë në Tetovë Ambasadorin e Suedisë në Maqedoni, Mats Stafanson. Me këtë rast, Ahmeti dhe ambasadori Stafanson bashkëbiseduan rreth zhvillimeve paszgjedhore në Maqedoni dhe prioritetet e Bashkimit Demokratik për Integrim dhe të vendit. “Kryetari i BDI-së Ahmeti shtjelloi qëndrimet programore të BDI duke thënë se barazia në vend e bën shoqërinë më të qëndrueshme, ndërsa përgjegjësinë për zgjidhjen e çështjes së emrit, integrimin, reformat, marrëdhëniet e mira ndëretnike duhet të marrin përsipër të gjithë. Ahmeti nënvizoi se BDI është e fokusuar në bashkëpunimin me partitë parlamentare shqiptare rreth Platformës së përbashkët kombëtare, ndërsa për momentin nuk zhvillon bisedime për koalicion qeverisës as me VMRO-në e as me LSDM-në, por dialogun e vetëm që po realizon BDI është me komunitetin ndërkombëtar dhe partitë shqiptare. Kryetari Ahmeti dhe Ambasadori Stafanson diskutuan edhe për zhvillimet gjeopolitike rajonale dhe globale si dhe ndikimin e tyre mbi Maqedoninë”. (koha.mk)