Shkup, 13 shkurt – Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka takuar të hënën ambasadorin e Francës në Maqedoni, Kristian Timonier. Në një komunikatë drejtuar mediave, thuhet se Ahmeti dhe ambasadori i Francës shkëmbyen mendime për situatën politike në vend pas zgjedhjeve të 11 dhjetorit. “Ahmeti nënvizoi që për BDI-në, stabiliteti i vendit është shumë i rëndësishëm përballë sfidave vendore, rajonale, por edhe globale. Lideri i BDI-së elaboroi mbi bisedimet negociuese me VMRO-DPMNE dhe LSDM-në duke shpalosur prioritetet tona për rrumbullakim të Marrëveshjes së Ohrit, sundim të së drejtës, fqinjësi të mirë, zhvillim ekonomik dhe integrim euroatlantik. Edhe përkundër presionit të vazhdueshëm opinionbërës, BDI nuk vepron në saje të emocioneve dhe preferencave, por me racionalitet dhe të fokusuar në zotimet para qytetarëve, duke mos qenë as servis i njërës palë e as shërbëtor i palës tjetër. Kryetari Ahmeti theksoi që ky presion joracional, i panevojshëm dhe preferencial opiniobërës po përpiqet që të krijojë tema joekzistuese në organet e partisë për gjoja ndarje në krahë të ndryshëm dhe kjo bëhet me qëllim për ta dobësuar BDI-në. Vendimi i BDI-së duhet të prodhojë siguri, stabilitet, qëndrueshmëri si dhe të jetë në partneritet me komunitetin ndërkombëtar, sepse kemi interes dhe qëllim të përbashkët, integrimin e vendit në NATO dhe BE. Kryetari Ahmeti njoftoi Ambasadorin e Francës që BDI nuk ngutet, por dëshiron që të sigurohet për realizim të pritjeve të qytetarëve, bashkë me rishqyrtimin dhe zbardhjen e rasteve të kontestuara si Monstra, Sopoti, Kumanova, apo edhe vet përgjimet”, thuhet në komunikatën e BDI-së drejtuar mediave. Për këto, vijon më tej komunikata, në BDI ka debat shumë të hapur, të argumentuar dhe konstruktiv, përfshirë edhe me përfaqësues të shoqërisë civile dhe akademike.